Bashkë me zgjatjen e afateve të vettingut, në seancën e së enjtes në Kuvend u miratuan edhe dy kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve parlamentare për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale.
Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla thotë se nuk ka pasur asnjë negociatë me PD-në për vettingun.
“Nuk ka pasur negociata për votimin. Është thjesht dhe vetëm ndërgjegjësimi i deputetëve të opozitës që vendosën ta mbështesin duke e konsideruar reformën në drejtësi hap të rëndësishëm”, tha ai në një dalje për mediat.
Balla foli pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së në Kryesinë e Kuvendit dhe zbuloi formatin dhe kohëzgjatjen e dy komisioneve që pritet të ngrihen në seancën e së enjtes.
“Ne kemi dhënë mbështetjen tonë në Kuvend për ngritjen e komisioneve dhe do të votohet ditën e enjte dhe për përbërjen e tyre. PS do ketë 8 anëtarë në secilin prej komisioneve. Në zgjedhore bashkëkryetar do të jetë Gjiknuri. Sot është zhvilluar një diskutim për Reformën Territoriale. Ndërkohë që ajo që dua të them që edhe për këtë komision do propozojmë bashkëkryetarin dhe anëtarët. Mandati do të jetë 6-mujor”, u shpreh ai.
Zgjedhorja kisht ngecur deri më tani te objekti i punës së komisionit. PD mendon se rekomandimi i OSBE/ODIHR për depolitizimin e numëruesve është i parakohshëm, ndërsa PS këmbëngul në adresimin e këtij rekomandimi.
“Ky 6-mujor duhet të përdoret në funksion të adresimit të plotë të rekomandimeve të OSBE për të cilat ende nuk janë transpozuar në legjislacionin tonë zgjedhor. Komisioni për Zgjedhoren duhet të bëjë edhe ndryshime në ligjin për partitë politike, për financimin e partive politike”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje