Bota

Rusia ndalon një pjesë të manovrave ushtarake. Lavrov: Mundësi marrëveshjeje me Perëndimin

Gazeta Si – Rusia ka vendosur të ndalojë disa manovra ushtarake të marinës së saj që po zhvillohen aktualisht, duke dhënë në dukje shenja tërheqjeje nga një pushtim i mundshëm në Ukrainë.

“Një pjesë e stërvitjeve ushtarake ruse po i vjen fundi”, ka njoftuar në një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, ministri i Mbrojtjes, Serghei Shoigu, duke shtuar se të tjerat “do të përfundojnë në të ardhmen e afërt”.

“Stërvitjet kryhen nga distrikti ushtarak perëndimor dhe përfshijnë praktikisht të gjitha flotat: në Detin Barents, në Detin e Zi, në Detin Baltik, në Paqësor.

Një dokument “dhjetë faqe” që mund të përbëjë bazën për një marrëveshje midis Rusisë dhe Perëndimit për krizën në Ukrainë, do të përgatitej nga Kremlini. Këtë e pretendon agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti”, duke cituar ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

Kërkesat në krye të dokumentit, do të ishin mos hyrja e Kievit në NATO dhe angazhimi i këtij të fundit për të mos vendosur armë strategjike në ish-republikat sovjetike.

Po ashtu, presidenti rus, ka porositur Lavrovin të vazhdojë konsultimet me Perëndimin për problemet kryesore të sigurisë së Federatës.

Gjatë një takimi në Kremlin, Putin përsëriti se “vija e kuqe” që Rusia beson se nuk duhet të kalohet, është anëtarësimi i Ukrainës në NATO. “Ka shanse për marrëveshje,” iu përgjigj Lavrov gazetarëve. Një dritare shprese për të zgjidhur jo ushtarakisht në krizën ukrainase. Në fakt, ai i ka thënë Vladimir Putinit se ka “shanse” për të gjetur një marrëveshje me Perëndimin.

Zgjerimi i NATO-s drejt lindjes “është i pafund dhe shumë i rrezikshëm”. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin, cituar nga TASS, në një takim me ministrin e Jashtëm Serghei Lavrov për kundërpërgjigjet që do t’i jepen SHBA-së dhe Aleancës Atlantike në lidhje me garancitë e sigurisë të kërkuara nga Moska. Putin tha se ky zgjerim vjen “në kurriz të ish-republikave sovjetike, duke përfshirë Ukrainën”.

Ndërsa ambasadori ukrainas në Londër, Vadym Prystaiko, sqaroi për BBC se “zgjidhja duhet gjetur deri të mërkurën” (kohë kur parashikohet sipas CIA-s që Rusia të nisë pushtimin e Ukrainës).

Diplomati e quajti atë “një keqkuptim” që vendi i tij mund të jetë i gatshëm të heqë dorë nga ambicia e tij për t’u bashkuar me NATO-n për të shmangur luftën me Rusinë.

Kjo e fundit “tashmë kufizohet me vendet e tjera të NATO-s, hyrja jonë nuk do të rrezikonte sigurinë ruse”, shtoi ai.

Ndërkohë, Duma, parlamenti rus, pritet të votojë të martën, 15 shkurt, për rezolutën që i bën thirrje presidentit Vladimir Putin të njohë, si pjesë të Federatës Ruse, rajonet separatiste ukrainase Donjeck dhe Luhansk, republika të vetëshpallura të pavarura në vitin 2014.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë