Pas seancës së dytë të dëgjesave me dëshimtarët e thirrur në Komision, kryetarja e komisionit hetimor parlamentar, Jorida Tabaku doli për një deklaratë për shtyp ku paraqiti një dokument, që sipas saj ishte firmosur nga Damian Gjiknuri për zgjatjen e koncesionit për incineratorin e Elbasanit nga 7 me 25 vite të tjera.
“Pra, një koncesion që e kemi paguar 21.6 mln eruo pa TVSH, një koncesion që kishte parasysh edhe shitjen e energjisë që do administrohej nga bashkia e Elbasanit, që do gjeneronte edhe të ardhura për bashkinë e Elbasanit, është dhënë një kontratë tjetër koncensionare për ta zgjatur atë pa procedurë, pa garë, tek Klodian Zoto dhe Stela Gugallia me 25 vite. Kjo mban firmën e z.Damian Gjiknuri”, tha Tabaku.
Damian Gjiknuri reagoi përmes një postimi në Facebook, ku e quan spekulim dhe se ai nuk ka firmosur në asnjë dokument.
“Keqardhje për deklarimet tashmë të përsëritura dhe krejt spekulative të zonjës Tabaku. Duket se “lëkundjet tektonike” brenda PD-së midis grupeve “grata” dhe “non grata” e kanë bërë dhe Tabakun të humbasë lidhjen me realitetin. Fillimisht gënjeu publikisht kur tha se kisha firmosur kontratën e inceneratorit të Tiranës. E konsiderova një lajthitje në kushtet e mungesës së informacionit dhe nuk replikova me zonjën në kohën kur lëshoi një sajesë të tillë. Kontratat janë publike dhe çdokush mund ta shohë që nuk është firmosur asnjëra prej meje. Sot, Tabaku vijoi me të tjera shashka teksa deklaroi se paskam firmosur koncesion të posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet”, shkruan Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së hodhi poshtë edhe akuzën se incineratorit i është dhënë një koncesion i dytë për prodhim energjie për 25 vite, pasi deklaron se kjo e drejt i buron atij prej kontratës fillestare.
“Autorizimi i dhënë kompanisë për prodhim energjie nuk është koncesion por është detyrim i lindur nga kontrata bazë që kompania kishte firmosur me Ministrinë e Mjedisit. Në përfundim të periudhës 7-vjeçare të koncesionit, kompania bashkë me të drejtën e fituar nga autorizimi i dhënë nga Ministria e Energjisë për prodhim energjie i kalon shtetit shqiptar”.
“Ka ndodhur tashmë fiks kështu. Kompania e inceneratorit të Elbasanit dhe e drejta e saj për prodhim energjie nga djegia e mbetjeve i është transferuar shtetit përmes pushtetit lokal ditën që përfundoi periudha e koncesionit. Me kënaqësi do jem javën e ardhshme në Komisionin Hetimor Parlamentar për të ja shpjeguar më tej zonjës Tabaku diferencën midis gënjeshtrës dhe të vërtetës!”, mbyll reagimin e tij, Damian Gjiknuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje