Kryeministri Edi Rama tha se qeveria shqiptare është ende në fazë bisedimesh me SHBA për ngritjen e Akademisë së Transparencës, një projekt 5.5 milionë dollarësh i qeverisë amerikane për të mbështetur qytetarët në denoncimin e aferave dhe metodave korruptive nga ana e administratës.
Ideja është prezantuar për herë të parë që në qershot të 2020-s nga Ambasada Amerikane në Tiranë, por ende dy vite nga ky njoftim mbetet ende projekt. Në intervistën e dhënë për Zërin e Amerikës, Kryeministri Edi Rama tha se për vonesën duhej pyetur pala amerikane.
“Është një proces diskutimi që po zgjat. Të shohim dhe shpresojmë që do të konkludohet me sukses. E rëndësishme është që pala amerikane kërkon të bëjë diçka serioze dhe konkrete dhe jo një tjetër projekt nga ato projektet, ku thuhet se lekët i jepen Shqipërisë dhe ndërkohë lekët përdoren për të paguar ekspertët që vijnë nga këtu, ose nga vende të tjera dhe paguhen në mënyrë mbresëlënëse për të dhënë receta të gatshme që shpeshherë nuk funksionojnë”, u shpreh ai.
Shifra prej 5.5 mln dollarësh do të financohet nga USAID. Rama tha se do të ketë një takim me USAID para se të rikthehet në Tiranë dhe temë diskutimi do të jetë edhe ky projekt.
Shtetet e Bashkuara njoftuan në qershor të 2020 fondin prej 5.5 milionë dollarë për ngritjen e Akademisë Amerikano-Shqiptare të Transparencës (USATA). Synimi i kësaj akademie është rritja e transparencës dhe integritetit të qeverisë dhe të institucioneve publike e private, si dhe të mbështesë reformën në drejtësi.
Një prej qëllimeve që ambasada e SHBA i vendosi akademisë në atë kohë ishte edhe menaxhimi i donacioneve për tërmetin, por që vonesa në ngritjen e saj duket se e ka djegur këtë objetiv.
“Akademia do të ndihmojë gjithashtu Qeverinë e Shqipërisë të menaxhojë donacionet e marra për rimëkëmbjen nga tërmeti, si dhe fondet e tjera publike, në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme që do të jetë në dobi të atyre që kanë më shumë nevojë. Kjo ndihmë është pjesë e kontributit mbi 700 milionë dollarë të Shteteve te Bashkuara për Shqipërinë në 20 vitet e fundit”, thuhej në njoftimin e Ambasadës së SHBA të 4 qershorit 2020.
Më 15 janar të 2021, Akademia ishte ende e pangritur. Ambasadorja e SHBA e ceku këtë gjatë një bashkëbisedimi në kuadër të një aktiviteti me të rinjtë për llogaridhënien, transparencën dhe antikorrupsionin.
“Padyshim, ndryshimi i zakoneve dhe ndërtimi i besimit të publikut do të kërkojë kohë, por kjo aleancë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë do të sigurojë që burimet dhe njohuritë teknike të jenë në dispozicion për një periudhë afatgjatë”, tha Ambasadorja Kim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje