Bota

Përshëndetje fashiste në Parlamentin Europian nga bullgari Angel Dzhambazki

Gjatë debatit në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, eurodeputeti bullgar, Angel Dzhambazki, i Grupit Ecr, ka sulmuar kolegun Sandro Gozi (Renew Europa) para ndërhyrjes së këtij të fundit në lidhje me çështjen e të drejtave në Poloni dhe Hungari.

Dzhambazki më pas braktisi asamblenë, duke bërë një përshëndetje fashiste ndaj zëvendëspresidentes së Parlamentit Europian, Pina Picierno, që në atë moment drejtonte seancën. “Rroftë Orban, Fidesz, Kaczynski, Bullgaria. Rroftë Europa e kombeve!” – ka deklaruar Dzhambazki, teksa bënte atë gjest.

Pina Picierno, zv.presidente e Parlamentit Europian. Gazeta Si, 16 shkurt 2022

Nuk vonoi komenti dhe replika e Picierno. “Në seancën që drejtova sot, eurodeputeti bullgar Dzhambazki bëri përshëndetjen romane. E dënova menjëherë atë veprim dhe kërkova të merren menjëherë masa për atë gjest të papranueshëm. Parlamenti Europian është një monument i gjallë i demokracisë kundër barabarisë së nazifashizmit”, – tha Picierno.

Në Paralamentin Europian po diskutohej për mekanizmin që kushtëzon fondet europiane në raport me çështjen e të drejtave. Për këtë argument ka pasur edhe një sentencë nga Trupa Gjyqësore e BE-së. Gjatë ndërhyrjes së tij, bullgari Dzhambazki kishte protestuar, sepse sipas tij, debati nuk parashikonte çështjen e të drejtave, por urrejtjen për idenë e konceptit të kombit.

Eurodeputeti sulmoi kolegët në sallë që folën para tij, mes të cilëve edhe italianin e zgjedhur në Francë, Sandro Gozi: “Nuk do të jemi kurrë dakord me ju që kërkoi ta shkatërroni Europën, duke e transformuar në diçka tjetër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë