Bota

Ukraina akuzon rebelët pro-rusë për sulme me mortaja, Zelenskij: Nuk heqim dorë nga NATO

Ushtria ukrainase denoncoi këtë të enjte se forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore, qëlluan me mortaja në një fshat në rajonin e Luganskut, duke goditur një kopsht.

Lajmi raportohet nga gazeta “Guardian”, e cila publikon disa imazhe të publikuara nga oficerët ushtarakë ukrainas që tregojnë kopshtin e dëmtuar të shënjestruar në fshatin Stanytsia Luhanska.

Burimet zyrtare, thonë se askush nuk u lëndua, por dy persona janë në gjendje shoku. Menjëherë ka reaguar ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i dënoi sulmin e separatitëve pro-rusë.

“Fshati ukrainas i Stanytsia Luhanska u bombardua me armë të rënda nga territori i pushtuar i Donbasit. Infrastruktura civile u dëmtua. Ne kërkojmë nga të gjithë partnerët që të dënojnë me shpejtësi këtë shkelje të rëndë të marrëveshjeve të Minskut nga Rusia në një situatë sigurie. tashmë të tensionuar”.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur vendosmërinë e tij që vendi t’i bashkohet NATO-s, duke thënë se nuk ka “rrugë tjetër” për Ukrainën.

Zelensky është shprehur se anëtarësimi  në NATO është “garant sigurie” për vendin, duke mos lënë hapësirë për asnjë kompromis për skenarin e  kundërt.

Zelensky tha se Kievi nuk është gati të heqë dorë  nga anëtarësimi në NATO,  duke theksuar se anëtarësimi nuk është çështje ambicieje, pasi bëhet fjalë për jetën e qytetarëve.

“Ka të bëjë me të ardhmen e njerëzve. Ne këtu  po flasim për pavarësinë tonë. Kjo është ajo që ne duam të ruajmë”, deklaroi Zelensky për BBC.

Ndërkohë nga ana e saj Rusia vazhdon t’i bëjë presion NATO-s dhe SHBA-së për të përjashtuar çdo mundësi të mundshme për të anëtarësuar Ukrainën në NATO, duke kërcënuar masa ushtarako nëse kërkesa e saj nuk plotësohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë