Gazeta Si – Miliona njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar, u është thënë të qëndrojnë në shtëpi, pasi një nga stuhitë më të fuqishme në dekada të regjistruara ndonjëherë në ishull, “Eunice”, po godet vendin.
“Met Office” lëshoi një alarm të dytë të rrallë për motin e keq për Londrën të premten, si dhe për pjesën më të madhe të bregut jugor dhe juglindor të Anglisë.
Niveli maksimal i alarmit të motit, do të thotë se ka rreziqe konkrete për jetën e njerëzve jashtë. Shpërthimet e erës mund të arrijnë në 150 kilometra në orë, të shoqëruara me rrebeshe shiu. Ndërsa në veri të Anglisë dhe Skocisë, raportohet edhe për reshje bore.
Rekomandimi i përgjithësuar për zonat më të prekura – përfshirë kryeqytetin – është që të qëndrojnë në shtëpi nga ora 10:00 me orën lokale dhe herët pasdite, kur intensiteti i fenomenit duhet të fillojë të ulet.
Vendet publike dhe atraksionet turistike janë mbyllur për sot në Londër; ndërsa në Uells dhe në Perëndim, janë pezulluar edhe aktivitetet shkollore, trenat dhe transporti i ndryshëm publik.
Të gjitha fluturimet për dhe nga aeroporti i qytetit të Londrës janë anuluar deri në orën 16:30. Disa fluturime nga aeroporti Heathroë gjithashtu nuk do të nisen rregullisht.
Në Uells, stuhia “Eunice” filloi në orët e para të mëngjesit të së premtes. Më shumë se 1800 shtëpi janë pa energji elektrike dhe ushtria është e gatshme të ndërhyjë nëse është e nevojshme.
Zyra meteorologjike ka këshilluar gjithashtu të mos udhëtohet në autostradë, për pasojë shumë arterie kryesore janë mbyllur paraprakisht.
Disa ura janë gjithashtu të mbyllura, duke përfshirë Severn Bridge që lidh Anglinë jugore dhe Uellsin dhe Ura e Britannia-s, e cila lidh ishullin Anglesey me Uellsin kontinent.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje