Sport

Dita e fundit e Pekin 2022/ Shkëlqejnë Johaug dhe Friedrich, zhgënjen Shiffrin

Gazeta Si – Lojërave Olimpike dimërore Pekin 2022 u ka ardhur fundi. Ceremonia e mbylljes është programuar për sot, në orën 13:00. Tabelën e medaljeve e kryeson Norvegjia, me 37 medalje, 16 nga të cilat të arta, e ndjekur nga Gjermania me 27 medalje në total, 12 të arta.

Medalja e fundit e artë ka shkuar për Finlandën, që mundi 2-1 Rusinë në finalen e hokeit në akull për meshkuj, ndërsa medaljen e bronzit e ka fituar Sllovakia. Për Finlandën është medalja e parë e artë në hokein në akull.

Në garën e gjatë të skive, 30 kilometra, dominoi norvegjezja monstruoze Therese Johaug. Kjo është medalja e tretë e artë për të dhe medalja e katërt olimpike, duke llogaritur edhe stafetën e Vankuverit. Medaljen e argjendtë e fitoi amerikanja Jessie Diggins dhe të bronzit finlandezja Niskanen.

Gjermanët Francesco Friedrich, Thorsten Margis, Candy Bauer dhe Alexander Schueller festojnë pas triumfit në bob për 4. Gazeta Si, 20 shkurt 2022

Pas tripletës në podin e ‘bob për 2’, gjermanët kanë regjistruar një dopietë në ‘bob për 4’. Medalje ari për ekuipazhin e drejtuar nga Francesco Friedrich, që arrin kështu një sukses të dyfishtë, siç bëri edhe në ‘PyeongChang 2018’, duke u shndërruar në një legjendë tashmë. Në vend të dytë ekuipazhi tjetër gjerman i Johannes Lochner dhe në vend të tretë kanadezët e drejtuar nga Justin Kripps.

Në kurling për femra ka fituar medaljen e artë Britania e Madhe, që mundi Japoninë 10-3.

Në garën e ‘team event’ ka triumfuar Austria, që mundi Gjermaninë. Në finalen për medaljen e bronzit Norvegjia mundi SHBA-të. Mikaela Shiffrin, në tentativën e 6-të në këto Lojëra, ka humbur sërish, këtë herë ndaj Stjernesund. Amerikanja mbetet pa medalje, edhe pse ka garuar në 6 disiplina, duke mbyllur kështu një Olimpiadë makthi.

Tabela e medaljeve. Gazeta Si, 20 shkurt 2022

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë