Politike

Përplasje të forta në Komisionin Hetimor gjatë dëshmisë së Erion Veliajt

Qetësia e dëshmisë së Erion Veliajt në Komisionin hetimor parlamentar për incineratorët zgjati vetëm pak minuta dhe i la vendin përplasjes mes kryetares së komisionit, Jorida Tabaku dhe kryebashkiakut.

Tabaku nisi seancën e pyetjeve nëse i njihte, apo kishte takuar ndonjëherë pronarët e incineratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

“I kam njohur nga portalet ku i kam parë në një foto në Zimbabve me përfaqësuesin e PD, Gerd Bogdani”, u përgjigj Veliaj.

Debati shpërtheu kur Tabaku i kërkoi kryebashkiakut bazën ligjore të vendimit ku është shprehur pro incineratorit të Tiranës.

Erion Veliaj gjatë dëshmisë në Komisionin Hetimor Parlamentar për Incineratorët

“Më ka autorizuar pika 1 e nenit 5 të ligjit Nr.139 “Për vetëqeverisjen vendore i ndryshuar”, në germën “gj” të nenit 64 përcakton se ‘kryetari i bashkisë ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar bashkisë si person juridik dhe është përfaqësuesi i saj në marrëdhëniet me të tretët’. Për sa kohë që jam zgjedhur kryetar i bashkisë kam të drejtën për të hyrë në marrëdhëniet me të tretët”, tha Veliaj.

Por, Tabaku tha se Veliaj gënjeu nën betim, pasi sipas parashikimit të këtij ligji, ai nuk ka këtë kompetencë për të firmosur shkresën ku shprehet pro incineratorit, pasi kjo kompetencë është e Këshillit Bashkiak.

Veliaj reagoi se kjo ishte pjesë e shpifjeve dhe i kujtoi Jorida Tabakut se është dënuar për shpifje nga gjykata. “Jam dënuar nga gjykata që e ndikon ti. Unë nuk kam ndërmend të kontrolloj gjykata”, u përgjigj Tabaku.

Më tej, kryetarja e Komisionit i kërkoi Veliajt se me ç’vendim të Këshillit Bashkiak ka detyruar të gjithë ndërtuesit që të hedhin dherat te incineratori i Sharrës.

Pas debatesh të forta të shoqëruara me fjalën “qetësi”, kryebashkiaku i Tiranës tha se kjo ishte një marrëdhënie mes ndërtuesve dhe kompanisë së incineratorëve, një marrëdhënie private që nuk ka lidhje me Këshillin Bashkiak, ndërsa Tabaku e akuzoi se nuk ka një vendim të Këshillit Bashkiak për këtë monopol.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë