Sport

Presidenti Meta nderon kampionin Briken Calja me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’

Gazeta Si – Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka pritur sot në një takim zyrtar sportistë, trajnerë dhe drejtues të peshëngritjes. Ai ka nderuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” kampionin e botës Briken Calja, kurse trajnerin e tij Gerald Toska me titullin “Mjeshër i Madh”.

Prej kohësh presidenti Meta ka dhënë tituj dhe çmime për figura të njohura të sportit shqiptar. Dhe sot ishte radha e Briken Caljes, i cili është ende në aktivitet. Sipas presidentit Meta, ai është një burim frymëzimi për fëmijët në Shqipëri.

Briken Calja me familjen dhe presidenti Meta gjatë takimit. Gazeta Si, 22 shkurt 2022

“Privilegj dhe kënaqësi e veçantë të nderoja sot sportin e peshëngritjes, që për dekada na ka bërë krenarë me rezultatet historike dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare dhe në mënyrë të veçantë Kampionin e Botës dhe Europës, sportistin e shkëlqyer Briken Calja.

E vlerësova me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, që aq shumë e ka lartësuar me arritjet dhe sukseset e tij, duke u shndërruar me personalitetin triumfues në burim të fuqishëm frymëzimi për fëmijët dhe sportistët e rinj.

Kontribut të jashtëzakonshëm për sukseset e Brikenit, ka padyshim dhe trajneri i tij personal, Gerald Toska, të cilin gjithashtu e çmova sot me Titullin “Mjeshtër i Madh”. Peshëngritja shqiptare meriton të mbështetet më tepër për të mos humbur këto tradita, por për t’i zhvilluar më tepër, që Shqipëria gjithmonë të përfaqësohet denjësisht nga kampionë të tjerë që do ta ngrenë lart flamurin tonë kombëtar”, – shkruan presidenti Meta në profilin e tij në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë