Bota

Rreth 400 mercenarë të grupit ‘Wagner’ janë në Ukrainë për të vrarë Zelenskijn

Mbi 400 mercenarë rusë, pranë Kremlinit, të forcave të grupit famëkeq “Wagner”, kanë qenë në Ukrainë për pesë javë dhe kanë për detyrë të vrasin presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky.

Sipas asaj që shkruan gazeta britanike “The Times”, mercenarët kanë mbërritur nga Afrika dhe ndodhen në Kiev me misionin e vetëm për të vrarë kreun e shtetit ukrainas.

Lajmi për praninë e njësisë, të përbërë nga ish-ushtarë dhe policë dhe që i atribuohen biznesmenit të fuqishëm rus, Yevgeny Prigozhin në Kiev, çoi në vendimin për vendosjen e një shtetrrethimi në kryeqytet për gjithë fundjavën me paralajmërimin se kushdo që shihej në rrugë, do të konsiderohej një armik.

Përveç vrasjes së Zelenskit, njerëzit e milicisë u urdhëruan gjithashtu të eliminonin 23 përfaqësues të tjerë të qeverisë dhe figura të shquara për të lejuar Moskën të merrte pushtetin me një qeveri kukull.

Jo vetëm e gjithë qeveria, por edhe kryetari i Bashkisë së Kievit, është në shënjestër të grupit rus: Vitaly Klitscho dhe vëllai i tij, Vladimir.

Sipas “Times”, mercenarët presin dritën jeshile nga Kremlini për të goditur. Ndërkohë Zelenskij dhe objektivat e tjerë po gjurmohen përmes telefonave të tyre celularë.

Misioni thuhet se është në pritje për shkak të negociatave, por, shkruan “Times”, Putin nuk ka ndërmend të arrijë një marrëveshje.

Sipas gazetës britanike, grupi “Wagner” ka pasur 2000-4000 njerëz në Ukrainë me misione të ndryshme që nga janari, ku disa janë dërguar në zonat e republikave separatiste të Donbasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë