Kievi u zgjua pas një nate tjetër të trazuar me dëshmitarët që raportojnë të paktën 4 shpërthime të fuqishme, që tronditën kryeqytetin brenda pak orëve.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se shpërthimet u dëgjuan të forta edhe në vendstrehimet nëntokësore, por mbetet e paqartë se cilat ishin objektivat e goditjeve. Ukrainasit vazhdojnë të fortifikojnë rrugët që të çojnë drejt qendrës së Kievit me thasë me rërë dhe inerte të tjera për t’u përballur me rusët në rast se ata do të hyjnë në qytet.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë të mbrojtjes deklarojnë se karvani gjigant i ushtrisë ruse që ndodhet pak kilometra larg Kievit ka ndaluar për skak të mungesës së karburantit dhe furnizimit me ushqime.
Në jug të vendit, rusët kanë marrë nën kontroll të plotë qytetin e Khersonit, bashkë me portin kyç të tij. Lajmi konfirmohet edhe nga zyrtarët vendorë ukrainas. Pas marrjes së këtij qyteti, rusët mendohet se po përgatiten për ofensivën ndaj Odesës dhe Mariupolit, duke mbyllur kështu komplet daljen e Ukrainës në Detin e Zi.
Në Mariupol qindra civilë dyshohet se mund të kenë humbur jetën pas orësh të tëra bombardimesh, sipas zv.kryebashkiakut të qytetit. Ushtria ukrainase thotë se qyteti është ende nën kontrollin e saj.
Bombardimet e fuqishme ruse në zonat civile u raportuan edhe në qytetin e dytë më të madh të vendit, në Kharkiv.
Ndërkohë, kriza humanitare ka marrë përmasa edhe më të mëdha. Sipas organizatave ndërkombëtare numri i refugjatëve të luftës ka kaluar 1 milionë njerëz. Më shumë se gjysma janë të zhvendosur në Poloni, pjesa tjetër në vendet fqinje, Moldavi, Rumani, Hungari e deri në Bjellorusi.
Një këshilltar i Presidentit ukrainas akuzoi Rusinë se po nxit kaos në zonat që ka pushtuar, ku po regjistrohen grabitje, vrasje e përdhunime. Ai kërkoi që në këto zona të hapen urgjentisht korridore për ndihmë humanitare, pasi situata për civilët është mjaft kritike.
Ndërkohë, në një dokument që mbrojtja ukrainase thotë se ka siguruar nga trupat ruse, i gjithë plani i Moskës për pushtimin e vendit ka një afat dyjavor.
Në plan thuhet se ofensiva do të përqendrohet nga jugu, pra nga Krimea, ndërsa në frontin verior, trupat do të hynin në territorin e Ukrainës, por nuk do të avanconin për të sulmuar Kievin. Qëllimi është që të qëndrojnë si kërcënim për të fragmentuar ushtrinë ukrainase në disa fronte.
Sipas ekspertëve, kjo strategji mund të shpjegojë edhe faktin që nga veriu trupat ruse janë më pak të përgatitura dhe një pjesë e madhe e tyre janë rekrutë të rinj, pa asnjë përvojë luftimi, ndërsa në jug, ku janë të angazhuara forcat profesioniste të ushtrisë avancimi ka qenë më i shpejtë dhe me më pak kosto.
Por, ekspertët nuk shpjegojnë dot faktin se pse ushtria ruse në veri sulmoi Kievin, në një kohë që sipas planit kishte një rol vetëm kërcënues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje