Bota

Video/ Rusia merr kontrollin e centralit bërthamor, Kievi: Të ndërhyjë NATO, rrezik për katastrofë

Gazeta Si – Dita e nëntë e luftës në Ukrainë u hap me sulmin rus në termocentralin bërthamor në Zaporizhia, i dyti më i madh në Evropë, i cili furnizon 25 për qind të energjisë elektrike në Ukrainë. Pati orë të tëra tmerri mbi një zjarr që më pas u shua.

Tre ushtarë ukrainas janë vrarë dhe të tjerë u plagosën nga sulmi i trupave ruse në centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë mëngjesin e së premtes. Lajmi është bërë i ditur nga kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës.

Nivelet e rrezatimit mbetën normale dhe objektet thelbësore nuk u cenuan. “Nëse do të shpërthente, do të ishte 10 herë më keq se Çernobili”, është alarmi i qeverisë së Kievit.

Zjarri rrezikoi vendet e reaktorëve bërthamorë, por ndërhyrja në kohë e ekipeve ukrainase të emergjencës bëri të mundur shuarjen e flakëve.

Ky termocentral bërthamor është më i madhi në Europë, ndërsa Perëndimi e konsideroi veprim të pamatur dhe akt të tmerrshëm bombardimin nga ana e Rusisë.

Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në të gjitha frontet dhe situata është gjithnjë e më e rëndë pothuajse në të gjitha qytetet në Ukrainë.

Në Kiev, trupat e rregullta dhe vullnetare kanë vendosur barrikada kudo në përpjekje për të kundërshtuar përparimin e trupave të Moskës, në Mariupol 400,000 civilë janë bllokuar pa ujë, pa ushqim ose ngrohje; Lviv është i mbushur me refugjatë që përpiqen të strehohen në Poloninë fqinje.

Raundi i dytë i negociatave në Brest çoi në një marrëveshje të kufizuar për të lejuar civilët të largoheshin nga qytetet nën rrethim, por pjesa tjetër e negociatave kanë ngecur ndjeshëm.

Putin përsëriti linjën e ashpër: në një telefonatë me Macron, ai theksoi se Rusia dëshiron kontrollin e Ukrainës dhe do të vazhdojë me ofensivën.

Një fatkeqësi në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia do të ishte gjashtë herë më e keqe se Çernobili. Këtë e tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, sipas raporteve të Kievit Independent. “Kjo natë mund të ishte fundi i historisë së Ukrainës dhe Evropës,” tha Zelensky, duke shtuar se rusët “e dinin se çfarë po goditnin, ata shënjestruan drejtpërdrejt vendin”. “Njerëz të Rusisë, si është e mundur kjo. Ne luftuam së bashku pasojat e katastrofës së Çernobilit të vitit 1986. A e keni harruar këtë? Nëse e mbani mend, nuk mund të heshtni. Thuajuni udhëheqësve tuaj se dëshironi të jetoni.”

Ndërkohë, ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko, ka kërkuar ndërhyrje urgjente të NATO-s pas sulmit rus në termocentralin bërthamor Zaporizhia në jug të vendit: “Centrali më i madh bërthamor në Evropë” (është i dyti. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë jo vetëm një vlerësim profesional të asaj që po ndodh, por një ndërhyrje reale me masat më të ashpra, duke përfshirë NATO-n dhe vendet që kanë armë bërthamore”, shkroi Halushchenko në Facebook. “Ne rrezikojmë një fatkeqësi bërthamore”, – th ai.

Ndërkohë, në një video ndërhyrje të publikuar në rrjetet sociale, presidenti ukrainas Zelensky flet për “terrorizëm bërthamor”: për herë të parë në historinë njerëzore, thotë ai, “një shtet terrorist i është drejtuar atij. Asnjë shtet, përveç Rusisë, nuk kishte goditur kurrë një termocentral bërthamor më parë”.

Zelensky bëri thirrje për “veprim të menjëhershëm nga Evropa”, pasi ushtria ruse sulmoi termocentralin bërthamor të Zaporizhia në Ukrainën jugore, duke shkaktuar një zjarr. “Vetëm veprimi i menjëhershëm i Evropës mund të ndalojë trupat ruse,” shkroi ai në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë