Qytetarë të shumtë serbë kanë dalë për të protestuar në mbështetje të Rusisë, pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk e përkrahu pushtimin rus ndaj Ukrainës.
Protestuesit janë mbledhur në afërsi të Presidencës së Serbisë, duke e bllokuar rrugën për qarkullim. Protestuesit dhanë mesazhe mbështetjeje për Rusinë, e cila filloi pushtimin e Ukrainës të enjten e kaluar, shkruan media kroate.
Përfaqësuesit e organizatave të ekstremit të djathtë, Damnjan Knezevic nga Patrulla Popullore, Mladen Obradovic nga Obraz iu drejtuan pjesëmarrësve të protestës nga skena duke u thënë se nëse Serbia vendos sanksione ndaj Rusisë pas zgjedhjeve, “dy herë më shumë njerëz se sonte do të dalin në rrugë”.
Knezevic u dërgoi një mesazh CNN, BBC dhe RTS, “se rusofobia në Serbi është një gabim statistikor”.
Obradovic tha se “Rusia po çliron të gjithë botën nga kërcënimet e NATO-s” dhe se sot “Putini ka treguar se kush është burrë shteti më i fortë dhe më i guximshëm në botë”.
Tubimi filloi me himnet e Serbisë dhe Rusisë, qytetarët mbajtën flamuj rus dhe serb dhe brohoritën “Rusi, Rusi”, “Serbët dhe rusët janë vëllezër përgjithmonë”, “Tradhëti, tradhëti” dhe “Vuçiç Shqiptar, e tradhtove Serbinë”.
Protestuesit më pas shkuan për shëtitje drejt ambasadës ruse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje