Politike

S’pranojnë komisionerët, PD kallëzim penal për KZAZ e Vorës, reagon PS: S’ka logjikë, problemi qëndron tek PD jo tek ne  

“Me një vendim të paprecedente tre anëtarë të PS bashkuan votën me anëtarët e LSI dhe kanë refuzuar që të zbatojnë vendimin e komisionerit të zgjedhjeve  të marrë gjatë ditës së djeshme, për emërimin e komisionerëve të PD dhe vendimin e Kolegjit të Apelimit të marrë mbrëmë në orën 02.00 të natës. Ndërkohë që flasim në qendrat e votimit janë emëruar 22 sekretarët të cilët i përkasin PD dhe akoma nuk ka një vendim për kryetarët të cilët i përkasin po PD në 22 qendrat e tjera.

Të gjithë përfaqësuesit e PD janë nëpër komisione si vëzhgues por nuk janë duke kryer rolin e tyre si kryetar”, tha nga Vora nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku e cila dha një përgjigje tjetër për mediat se pse PD nuk kishte cuar komisionerë banues të Vorës sic e kërkon ligji. Tabaku tha se PD-ja kishte cuar një liste të dyte me njerëz më të kualifikuar.

Ndërkohë, PD njoftoi më vonë se po përgatit kallëzim penal për anëtarët e KZAZ në Vorë

“Pas shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor, vendimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisionit të Ankimeve dhe sanksioneve, Partia Demokratike po përgatit kallëzimin penal për 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre, duke minuar procesin zgjedhor në këtë bashki”, thuhet në njoftimin e PD.

Përfaqësuesi i socialistëve në KQZ, Eridian Salianji, rrëzoi pretendimet e Partisë Demokratike se PS dhe LSI po bllokojnë procesin e votimit në Vorë. Sipas Salianjit, problematika e PD-së për të gjetur komisionerë ka krijuar ngërçin, i cili ligjërisht është i zgjidhur pasi qendrat e votimit kanë kuorumin e nevojshëm për të vijuar procesin.

“Për sa i përket problemit jo logjik është se PD ngre një problem mbi emërimin e anëtarëve, PD ka detyrimin ligjor t’i çojë pranë KZAZ-së banorë të bashkisë Vorë.

Problematika e PD-së për të gjetur komisionerë nuk është shkelje e ligjit. Edhe në momentet që flasim partia Demokratike ka detyrimin të paraqesë komisionerë dhe të ushtrojë detyrimet që i jep ligjit për të organizuar procesin e votimit me anëtarët

Nuk e di për çfarë arsye ka ardhur kjo mungesë komisionerësh, për shkak të pamundësisë për t’i gjetur apo për të bërë pis procesin. Ne na intereson procesi dhe tashmë procesi është një proces ligjor pasi është miratuar kuorumi me 5 anëtarë”, tha Salianji.

Salianji u shpreh gjithashtu se padia e ngritur ndaj anëtarëve të Qendrës së Votimit në Vorë nga Partia Demokratike është pa bazë ligjore.

Sipas tij, e vetmja që ka thyer ligjin në këtë histori është nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila në prononcimin e saj nga Vora i bëri thirrje qytetarëve të votojnë Partinë Demokratike, duke thyer heshtjen zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë