Kryetarja e Komisionit Hetimor parlamentar për incineratorët, Jorida Tabaku prezantoi raportin përfundimtar të demokratëve në mbyllje të punimeve 4-mujore të këtij Komisioni.
Raporti përfundimtar prej 120 faqesh, sipas PD zbardh se e gjithë afera masive financiare rezulton e mbështetur në dy shtylla dhe dëmi i shkaktuar për qytetarët shqiptarë është 430 mln euro më e pakta.
Shtylla e parë, thuhet në raport është përfitimi i kontratave koncensionare nga kompani, të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, pa përvojë dhe pa aftësi financiare; në shkelje të procedurave në hartimin, miratimin dhe zbatimin e kontratave koncensionare
Shtylla e dytë është përdorimi i fondeve publike, sipas PD, përmes një skeme pastrimi parash për t’i nxjerrë këto fonde jashtë vendit apo duke kryer pagesa me kompani fiktive si dhe kompani që zotërohen nga të kërkuarit në arrati Zoto-Gugallja-Mërtiri.
“Në qendër të skemës janë disa kompani private, të përfaqësuara nga një grup i vogël personash me lidhje të ngushta me njëri-tjetrin, të cilat kanë përfituar kontrata koncensionare, nëpërmjet veprimeve anti-ligjore të zyrtarëve më të lartë shqiptarë. Disa prej këtyre zyrtarëve, siç ka rezultuar nga të dhënat e siguruara, rezultojnë që janë lidhje shoqërore e miqësore me personazhet-biznesmenë, përfitues të “aferës së inceneratorëve”, thotë PD.
PD thotë se komisioni provoi se Kompanitë që kanë fituar kontratat koncensionare për ndërtimin e landfill dhe incinerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë, nuk kanë pasur asnjë përvojë në fushën e përpunimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane.
“Kompanitë koncensionare, siç rezultojnë nga dokumentet zyrtare, nuk kanë pasur as kapacitetete financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve, vlera operacionale e të cilave përllogaritet në rreth 150 milionë euro, pa përfshirë përfitimet e tjera nga shërbimi i depozitimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane, prodhimin dhe shitjen e energjisë si dhe depozitimin e dherave të sigurara si një monopol përmes veprimeve dhe mosveprimeve të qeverisë qendrore dhe asaj lokale”, thotë raporti.
Për të qarkulluar paratë e marra nga buxheti i shtetit, PD thotë se kompanitë kanë përdorur kryesisht tre mënyra.
Së pari kompanitë e inceneratorëve kanë përdorur buxhetin e shtetit për të tërhequr paradhënie shumicën e shumës së premtuar në formën e paradhënies dhe më tej ato kanë zhdoganuar mallra më pak se sa ajo e zotuar në kontrata.
Së dyti eshtë mënyra përmes së cilës ato kanë vepruar është ajo e krijimit të transfertave të parave jashtë vendit. duke krijuar kështu mundësinë që paratë e buxhetit shqiptar të dalin jashtë territorit të vendit pa përfunduar punën.
Së treti është mënyra e krijimit të një miksi mes sajimit të kompanive fiktive me fatura të TVSH dhe gjithashtu transferimi i parave në kompaninë ITS, e cila është përdorur si një kompani guaskë përmes së cilës janë shpërndarë paratë në të tjera kompani.
Nga të gjitha këto para, raporti i PD-së ka gjetur se 25 mln euro janë transferuar jashtë vendit.
“Ky proces nënkupton që një kompani të marrë shërbime nga kompani të saja “guackë ” e të regjistruara në vendet të njohura si parajsa fiskale. Në total, prej analizës së kryer, kompanitë koncesionare kanë deklaruar të paktën 94 fatura të tilla sherbimesh në Librat e tyre me një vlerë totale prej 24.48 mln euro, apo mesatarisht 260 mijë euro për një faturë”, tha Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje