Sali Berisha u bëri thirrje deputetëve që deri më sot kanë mbështetur Lulzim Bashën që të bashkohen me atë që ai e cilësoi “opozita e vërtetë”
“Kam ndjekur zhvillimet brenda selisë së Lul Bravës dhe bunkerit të blinduar. Vlerësoj dhe përshëndes qëndrimet e deputetëve të PD, të cilët sapo konstatuan me fakte nga qëndrimi i elektoratit shqiptar, se Brava-opozita nuk është një opozitë, por është false, shprehën qëndrimet e tyre të drejta. Unë i ftoj ata të bashkohen me elektoratin e tyre. Të bashkohen me PD, të kontribuojnë në konsolidimin e saj. I garantoj plotësisht se ligji i pandryshueshëm i këtij bashkimi është dhe mbetet vota e lirë,” tha Berisha.
“Në politikë, jashtë teorisë së gabimit nuk del askush, por e rëndësishme është që mbi bazë zhvillimesh, faktesh dhe dokumentesh që të korrigjosh gabimet dhe qëndrimet. Zgjedhjet nuk ishin më një debat brendapartiak, nuk ishin më një votim brendapartiak. Zgjedhjet ishin në nivel elektoral. Kështu që çdo deputet ka jo të drejtën, por ka detyrën themelore të lexojë mesazhin e zgjedhësve dhe të marrë vendimin që i takon. Së dyti, shtoj se në politikë secili ka kontributin dhe investimin e tij. Askush nuk ka të drejtë t’i mohojë tjetrit vendimin për t’u rikthyer te investimi që ka bërë në vite. Me këto parime ecën PD: Më e bashkuar, më e fortë dhe më e hapur se kurrë”.
Pyetjes se a duhet një kongres pajtimi, Berisha iu përgjigj: “Jam i gatshëm për çdo propozim që vendos në epiqendër votën e lirë. Mund të them se dëgjon debate dhe analistë që flasin për çdo gjë, por jo për votën. U them shqiptarëve se gjithçka ka ndodhur në kundërshtim me interesat e tyre këto vite, bllokimi i integrimit, largimi masiv i shqiptarëve nga Shqipëria, rritja e varfërisë ekstreme, rritja e varfërisë në tërësi, rritja e çmimeve dhe mos rritja e rrogave, kanë një emërues të përbashkët: dhunimin e votës së tyre.
Ndaj bëj thirrje jo vetëm për demokratët, por për çdo shqiptar, që të kthejnë në vëmendjen e tyre të plotë, votën e lirë. Vota e lirë është dinjitet, është zemreku i lirisë”.
Berisha tha se Basha nuk jep dorëheqjen pasi “është i mbajtur peng’
“Gara është e hapur. PD është në një proces të reformimit total. Të rikthimit në çdo vendimmarrje të saj të votës së lirë. Kushdo që është i gatshëm të kontribuojë në këtë proces dhe ka besim te vota e lirë, është plotësisht i mirëpritur. Nëse më pyet mua a jep dorëheqjen Lulzim Brava, mund të them se ai është një peng që nuk e ka në dorë veten e tij. Ai po keqpërdoret dhe keqshfrytëzohet deri në fund sa të mos mbetet më asgjë nga ai.
…Mendoj se zoti Brava ka injoruar veten e tij dhe është injoruar nga elektorati shqiptar. Le ta lëmë në fatin e tij”
I pyetur se a do ketë parti të re, nëse Lulzim Basha nuk largohet, Berisha tha: “Nuk do ketë parti të re, kjo është PD, opozita e vërtetë. Nuk mund të marrë peng pluralizmin një njeri që paraqet standardet më të veçanta në historinë politike të Shqipërisë”.
A do të garojë për kryetar partie?
“Është jashtë çdo lloj imagjinate që unë do të devijojë nga ky kurs nga vendimi im i shpallur para demokratëve që do të garoj për kryetar të PD, por duke garantuar çdo personalitet që dëshiron të hyjë në garë, kushte të barabarta, teknike, materiale dhe të gjithanshme dhe do pranoj rezultatin e tyre pa asnjë koment. Rikthimi ka ndodhur në 6 mars. Kishte pikëpyetje më parë se jo po ka deputetë, ja ku janë , ajo votë është rikthimi i Sali Berishës. Pse është 31%, po nuk jemi shumicë, por stacion i fuqishëm për t’u bërë shumicë, opozita apo logo e opozitës kanë marrë 44% të votave, aq sa kanë marrë në zgjedhjet e 25 prillit çka për mua është shumë pozitiv dhe kjo falë ‘Shtëpisë së Lirisë’, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje