Bota

SHBA vendos sisteme raketore në Poloni. Harris: Të nisin hetimet për krime lufte

Gazeta Si – Zëvendëspresidentja e SHBA-ve, Kamala Harris, deklaroi sot se Pentagoni ka vendosur sisteme raketore në Poloni, duke shtuar se vendi i saj është i përgatitur për të mbrojtur “çdo centimetër” të territorit të NATO-s.

Harris, e bëri deklaratën në Varshavë pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda. Ajo tha po ashtu se SHBA do të japë 50 milionë dollarë të tjera ndihmë humanitare për Ukrainën.

Dorëzimi i raketave “Patriot” në Poloni vjen menjëherë pasi Rusia u kërkoi vendeve të BE-së dhe NATO-s të ndalojnë furnizimin e rajonit me armë mbrojtëse, pasi përbëjnë kërcënim për avionët civilë.

Raketat “Patriot” janë raketa tokë-ajër të përdorura nga forcat e armatosura të SHBA-ve për të shënjestruar predhat e armikut.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë është thuajse gjenocid. Kur shohim raketa që godasin spitalet dhe zonat e banuara, ka vetëm një mënyrë për ta quajtur të gjithën një gjenocid”.

Kështu presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, në një konferencë të përbashkët për shtyp me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris, në Varshavë.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të kemi një pozicion shumë të fortë si përfaqësues të botës së lirë dhe kjo është ajo që po bëjmë”, – shtoi ai.

Ndërsa numri dy i Shtëpisë së Bardhë, theksoi se “ne po bëjmë thirrje për një hetim për krimet e luftës në vazhdim. Jemi dëshmitarë të mizorive të paprecedentë. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha Harris.

Vizita e saj në Varshavë erdhi në mesin e një mosmarrëveshjeje të papritur diplomatike lidhur me furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë.

Qeveria polake doli dy ditë më parë me një plan për të transferuar në  bazën amerikane në Gjermani, avionët e saj të prodhimit rus, MiG-29, në mënyrë që ato më pas t’u jepen pilotëve ukrainas për të luftuar me forcat ruse. Në këmbim, SHBA-ja do ta furnizonte Poloninë me avionët e prodhimit amerikan.

Por, Polonia nuk e kishte ndarë paraprakisht këtë ide me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, para se ta bënte publike. Prandaj, Pentagoni menjëherë e hodhi poshtë këtë ide si të paqëndrueshme. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë