Bota

Video/ Sulmet e para ruse në Dnjepro dhe Lutsk, gati 16 mijë mercenarë nga Lindja e Mesme

Gazeta Si – Rusia ka zgjeruar sulmet e saj nga ajri dhe toka në ditën e 16-të të luftës dhe ka ndërmarrë aksione në disa qytete të reja, të cilat që prej nisjes së pushtimit nuk ishin prekur.

Mediat kanë raportuar për shpërthime në Lutsk, qytet në veriperëndim të Ukrainës dhe në Dnjepro, një qytet që ndodhet pranë lumit me të njëjtin emër dhe një fortesë në qendër të Ukrainës.

Sipas asaj që shkruan BBC, sulmi në Lutsk shënjestroi një aeroport. Po ashtu raportohet se trupat ruse kanë goditur një fabrikë, i vetmi vend ku motorët e avionëve luftarakë mund të riparoheshin.

Sipas raportimeve ky vend ishte në listën e aseteve strategjike që po shënjestroheshin nga Rusia. Ndërkohë kryebashkiaku i Lutsk i bëri thirrje qytetarëve që të gjejnë strehim si pasojë e bombardimeve.

Ndërkohë në Dnipro ka pasur të paktën 3 shpërthime. Mediat ukrainase kanë raportuar se është goditur një fabrikë këpucësh, një kopsht dhe një ndërtesë me apartamente.

Për pasojë një person ka mbetur i vdekur. Lajmi është konfirmuar nga shërbimet e emergjencës. Nënkryetari i Bashkisë së Mariupol tha se më shumë se 1200 trupa u gjetën nga rrugët e qytetit.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka mbledhur këtë të premte në mëngjes besnikët e tij në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti mirëpriti “rezervistët që duan të luftojnë” kundër forcave ukrainase: “Ne do t’i ndihmojmë ata të arrijnë në vijën e parë”.

Ministri i Mbrojtjes Serghei Shoigu tha se ka mbi 16,000 vullnetarë në vendet e Lindjes së Mesme të gatshëm për t’u ardhur në ndihmë rajoneve pro-ruse në Donbas.

Shumë prej mercenareve që po ndihmojnë rusët sipas Kremlinit janë nga ata që ndihmuan në luftën kundër Shtetit Islamik në dhjetë vitet e fundit.

Shërbimet sekrete amerikane kanë deklaruar se një pjesë e madhe e mercenarëve që i kanë ardhur në ndihme ushtrisë ruse vijnë nga Siria.

Instituti i Fizikës dhe Teknologjisë në Kharkiv, shtëpia e një reaktori eksperimental bërthamor, u godit në një sulm rus.

Inspektorati Shtetëror Rregullator Bërthamor i Ukrainës njoftoi se objekti është goditur, duke dëmtuar pamjen e jashtme dhe ndoshta shumë laboratorë në të gjithë ndërtesën.

Tanket ruse janë ende 130 km larg qytetit. Këto bombardime ndoshta shënojnë një pikë kthese të mëtejshme në taktikat ruse, që synojnë përfshirjen e të gjithë vendit në bombardime dhe kështu presionin edhe më të madh ndaj qeverisë qendrore për të zbutur pozicionet e saj në tryezën e bisedimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë