Politike

Tabaku ‘braktiset’ edhe nga të vetët, inceneratorët djegin unitetin e opozitës në Komision

Gjatë punimeve të komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët u krijua perceptimi se të paktën për këtë çështje, mes dy kampeve të Partisë Demkratike kishte unitet. Por, votimi tregoi që nuk ishte kështu.

Pesë deputetë mbështetës të Berishës, mes të cilëve edhe vetë anëtari i këtij Komisioni, Belind Këlliçi dhe tre deputetë të LSI-së votuan kundër raportit “Tabaku”. Raporti mori vetëm 27 vota në total, ndërsa 28 deputetë të tjerë nuk morën pjesë fare në votim.

Në votim nuk morën pjesë as Edmond Spaho dhe Ina Zhupa. Por, nëse për Spahon mund të parashikohej një vendim i tillë, pasi ai u largua nga Komisioni pa i mbyllur punimet, me arsyetimin se puna po pengohej nga socialistët, mungesa e Ina Zhupës, një prej anëtareve më aktive në këtë komision ishte e papritur.

Megjithatë, punimet e këtij komisioni dhe veçanërisht votimi i së enjtes reflektuan gjithashtu përçarjen ekzistuese në kampin e opozitës. E pyetur nga BIRN për votat kundër të deputetëve demokratë, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku e quajti këtë ‘një gabim në gjykim”.

“Nuk e besoj dot që pas një pune të përbashkët në komision dhe një pune 6-vjeçare të Partisë Demokratike për të zbardhur këtë aferë korruptive, të kishte deputetë të opozitës që votojnë kundër,” tha Tabaku.

Ndryshe nga Tabaku, Belind Këlliçi një nga deputetët më aktivë në komisionin hetimor për inceneratorët, i tha BIRN se nuk kishte pasur mundësinë të njihej me raportin e hartuar nga Tabaku. “Raporti final i opozitës nuk më ishte vënë në dispozicion, u njoha me të vetëm në seancë dhe nuk pata kohën e mjaftueshme,” tha Këlliçi.

Tabaku i hodhi poshtë pretendimet se nuk e kishte ndarë me kolegët raportin përfundimtar, ndërsa shtoi se raporti ishte publikuar në faqen online të Kuvendit që të hënën.

Komisioni i mbylli punimet me dy raporte të kundërta. PD që pretendonte se kishte faktuar ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në qeverisje, në krye të të cilit ishte Edi Rama, skemë korruptive dhe pastrim parash me përfshirjen e të paktën 50 zyrtarëve, ndërsa PS doli me një raport ku thotë se komisioni cenoi parimin e ndarjes së kompetencave dhe mori rolin e organit të akuzës. Për këtë, socialistët kërkojnë amendimin e ligjit për komisionet hetimore me qëllim ruajtjen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë