Politike

“Termeti” i 6 Marsit, “shkërmoqja” e opozitës dhe “shkarkimi” i dyshes Basha-Berisha

Pas 9 vitesh në pushtet qendror Partia Socialiste shënoi një prej fitoreve më të thella në votimet e pjesshme lokale të 6 Marsit. Më shumë se sa fitorja e 5 prej 6 bashkive, gjë që gjërësisht pranohej që para fushatës, ajo çka ndodhi me votën e opozitës shkaktoi lëkundje të forta “sizmike”.

Marrë në konsideratë ndryshimin që kanë zgjedhjet lokale me ato parlamentare, rënia e nivelit të pjesëmarrjes ishte diçka e pritshme. Surpriza qëndron në faktin se rënia e numrit të votave të mazhorancës në 6 bashkitë krahasuar me një vit më parë është vetëm 17.6% ndërsa rënia e votave opozitare shkon në 35.5%. Në Prillin e vitit 2021, PD e bashkuar dhe LSI si front opozite sëbashku në të 6 bashkitë morën 134,600 vota ndërsa në votimet e pjesshme morën 86,855 vota. Në kampin e mazhorancës, një vit më parë u morën 129,600 vota ndërsa sëfundi 106,700.

Qartësisht, mazhoranca e votave opozitare u kthye në minorancë. Si të mos mjaftonte kjo, Partia Demokratike si forca historike kryesore e të djathtës u pozicionua në vendin e tretë thuajse njëjtë me pozitat që mbante deri dje LSI e Monika Kryemadhit.

Në Bashkinë e Durrësit socialistët arritën të mbledhin 5 mijë vota më tepër krahasuar me vitin 2019 kur garuan të vetëm pa opozitë përballë. Në raport me zgjedhjet e Prillit 2021, pjesëmarrja në votime në këtë territor ka zbritur nga 42.47% në 26.48%. Kandidatja e socialistëve mori 39,157 vota ose 13,575 më pak se sa kampi qeveritar mori 1 vit më parë ndërsa kandidatët e opozitës morën sëbashku 27,813 vota ose 21,830 më pak. PD e Bashës mori 7,937 vota ndërsa Shtëpia e Lirisë 19,876. Nëse diferenca mes dy kampeve në 25 Prill të vitit 2021 ishte 3,099 vota në avantazh të PS, aktualisht ajo ka shkuar në 11,344.

Në Bashkinë e Shkodrës socialistët arritën të mbledhin 1,665 vota më tepër krahasuar me vitin 2019 kur garuan pa opozitën. Krahasuar me Prillin 2021, pjesëmarrja e qytetarëve në votime zbriti nga 41.53% në 27.85%. Kandidatja e socialistëve mori 18,205 vota ose 7,360 më pak se sa kampi qeveritar mori 1 vit më parë ndërsa kandidatët e opozitës morën sëbashku 27,874 vota ose 9,859 më pak. Bashkia u fitua nga Shtëpia e Lirisë me 20,125 vota ndërsa PD e Bashës mori 7,749. Diferenca mes dy kampeve në 25 Prill të vitit të kaluar ishte 12,168 vota në avantazh të opozitës së bashkuar ndërsa aktualisht ajo ka shkuar në 9,696.

Në Bashkinë e Dibrës socialistët arritën të marrin 987 vota më shumë krahasuar më vitin 2019 kur garonin pa opozitë përballë. Krahasuar me Prillin 2021, pjesëmarrja e qytetarëve në votime zbriti nga 53% në 41.98%. Kandidati socialist mori 13,995 vota ose 2,376 vota më shumë se sa kampi qeveritar mori 1 vit më parë ndërsa kandidatët e opozitës morën sëbashku 8,915 vota ose 7,165 më pak. Vota opozitare u nda përgjysmë ku Shtëpia e Lirisë mori 4,478 vota dhe PD e Bashës 4,437 vota. E veçanta në këtë rast është që diferenca mes dy kampeve një vit më parë ishte 7,165 vota në avantazh të opozitës ndërsa aktualisht ka shkuar në 5,080 vota në avantazh të qeverisë.

Në Bashkinë e Lushnjes socialistët morën 6,618 vota më pak krahasuar me vitin 2019 kur garuan pa rival. Pjesëmarrja në votime një vit më parë në zgjedhjet parlamentare ishte 46.94% ndërsa rezulton të jetë ulur në 35.87%. Kandidatja socialiste mori 21,477 vota ose 3,561 më pak krahasuar edhe me votën që mori kampi qeveritar 1 vit më parë në të njëjtin territor. Kandidatët e opozitës morën 15,047 vota ose 4,933 më pak. Shtëpia e Lirisë mori 11,238 vota ndërsa PD e Bashës 3,809. Kampi qeveritar kishte një vit më parë një avantazh ndaj votës opozitare në 5,058 vota ndërsa aktualisht ka një avantazh prej 6,430 votash.

Në Bashkinë e Vorës socialistët morën 2,220 vota më shumë se në procesin lokal të vitit 2019. Pjesëmarrja në votime një vit më parë në zgjedhjet parlamentare ishte 54.89% ndërsa rezulton të jetë ulur në 41%. Kandidati socialist mori 8,431 vota ose 419 vota më pak se sa kampi qeveritar mori një vit më parë ndërsa kandidatët e opozitës 3,720 vota ose 2,887 më pak. PD e Bashës sërish përfundon me më pak vota se sa kishte thjesht LSI e Kryemadhit. Avantazhi i votave të kampit qeveritar një vit më parë në këtë bashki ishte me 2,243 vota ndërsa aktualisht ka arritur në 4,711 vota.

Në Bashkinë e Rrogozhinës kandidati socialist mori 25 vota më shumë se në procesin lokal të vitit 2019. Pjesëmarrja në votime një vit më parë në zgjedhjet parlamentare ishte 34.77% ndërsa rezulton të jetë ulur në 28.44%. Kandidati socialist mori 5,438 vota ose 358 vota më pak se sa kampi qeveritar mori një 1 më parë në zgjedhjet parlamentare ndërsa kandidatët opozitarë morën 3,516 vota ose 1,051 më pak. Avantazhi i votave të kampit qeveritar ka ndryshuar nga 1,229 që ishte një vit më parë tashmë në 1,922 vota.

Në konkluzion: Me përjashtim të Bashkisë së Shkodrës, në të gjitha njësitë tjera votat e kandidatëve të opozitës jo vetëm të ndarë por as të bashkuar nuk i afrohen dot socialistëve. Nëse mazhoranca ka ruajtur ose ka pësuar rënie të lehtë të votave, “tërmeti” në opozitë ka qenë i thellë duke shkërmoqur tërësisht tabelat e rezultateve. Në betejën midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, opozitarët kanë zgjedhur fitues Sali Berishën ndërsa në betejën e bllokut opozitar ndaj bllokut të qeverisë ata kanë “shkarkuar” me votë njësoj si Lulzim Bashën ashtu edhe Sali Berishën duke refuzuar të votojnë. Fakt ky i cili pashmangmërisht duket se do të çojë në hapjen e zgjedhjeve të brendshme në PD me synim bashkimin e të djathtëve por pa Bashën e Berishën në krye.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë