Më shumë se tre javë më parë, një llogari e njohur në Twitter me emrin “Anonymous” deklaroi se grupi i aktivistëve “në hije” po zhvillonte një luftë kibernetike kundër Rusisë.
Që atëherë, llogaria, e cila ka më shumë se 7.9 milionë ndjekës, me rreth 500,000 të fituar që nga pushtimi rus i Ukrainës ka marrë përgjegjësinë për çaktivizimin e uebsajteve të njohura të qeverisë ruse, lajmeve dhe rrjedhjen e të dhënave nga subjekte të tilla si Roskomnadzor, agjencia federale përgjegjëse për censurimin e mediave ruse.
Por a është e vërtetë ndonjë nga këto?
“Duket se është”, thotë Jeremiah Fowler, bashkëthemelues i kompanisë së sigurisë kibernetike Security Discovery, i cili ka punuar me studiues në kompaninë e internetit Website Planet për të verifikuar pretendimet e grupit.
“Anonymous ka dëshmuar se është një grup shumë i aftë që ka depërtuar në disa objektiva, regjistrime dhe baza të të dhënave me vlerë në Rusi”, shkroi ai në një raport që përmbledh gjetjet.
Bazat e të dhënave të hakëruara
Nga 100 bazat e të dhënave ruse që u analizuan, 92 ishin prekur nga hakërimi, tha Fowler.
Ato u përkisnin shitësve me pakicë, ofruesve rusë të internetit dhe faqeve të internetit ndërqeveritare, duke përfshirë Komonuelthin e Shteteve të Pavarura ose CIS, një organizatë e përbërë nga Rusia dhe vende të tjera ish-sovjetike që u krijua në 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Shumë skedarë të CIS u fshinë, qindra dosje u riemëruan në “putin_stop_this_war” dhe adresat e postës elektronike dhe kredencialet administrative u ekspozuan, tha Fowler, i cili e krahasoi atë me sulmet me qëllim të keq “MeowBot” të vitit 2020, të cilat “nuk kishin asnjë qëllim përveç një skenari keqdashës që fshiu të dhënat dhe riemërtoi të gjithë skedarët”.
Një tjetër bazë e të dhënave e hakëruar përmbante më shumë se 270,000 emra dhe adresa emaili.
“Deri tani dimë që janë hakëruar disa të dhëna por nuk dimë nëse ato janë shkarkuar apo cfarë planifikojnë të bëjnë me këto informacione që kanë”.
Bazat e tjera të të dhënave përmbanin informacione sigurie, fjalëkalime dhe një “numër shumë të madh çelësash sekretë”, të cilët zhbllokojnë të dhënat e koduara, tha Foëler.
Sa i përket nëse kjo ishte puna e Anonymous, Fowler tha se ai ndoqi pretendimet e Anonymous “dhe afati kohor përputhet në mënyrë të përsosur”.
Transmetimet televizive dhe faqet e internetit të hakëruara
Llogaria në Twitter, e quajtur @YourAnonNews, ka pohuar gjithashtu se ka hakëruar stacionet televizive shtetërore ruse.
“Unë do ta shënoja këtë si të vërtetë nëse do të isha një kontrollues i fakteve”, tha Fowler. “Partneri im në Security Discovery, Bob Diachenko, në fakt kapi një burim të drejtpërdrejtë lajmesh shtetërore nga një faqe interneti dhe filmoi ekranin, kështu që ne ishim në gjendje të vërtetonim se ata kishin hakëruar të paktën një transmetim të drejtpërdrejtë me një mesazh pro-ukrainas në rusisht”.
Llogaria ka pretenduar gjithashtu se ka ndërprerë faqet e internetit të organizatave dhe agjencive të mediave kryesore ruse, të tilla si kompania energjetike Gazprom dhe agjencia e lajmeve e sponsorizuar nga shteti RT.
“Shumë nga këto agjenci kanë pranuar se janë sulmuar”, tha Fowler.
Fowler tha se ai nuk gjeti ndonjë rast ku Anonymous kishte ekzagjeruar pretendimet e tij.
Por kjo po ndodh me grupe të tjera të tilla, tha Lotem Finkelstein, kreu i inteligjencës dhe kërkimit të kërcënimeve në kompaninë e sigurisë kibernetike Check Point Software Technologies.
Në javët e fundit, një grup pro-ukrainas pretendoi se kishte shkelur një reaktor bërthamor rus dhe një grup pro-rus tha se mbylli faqen e internetit të Anonymous. Check Point arriti në përfundimin që të dy pretendimet ishin të rreme.
Grupet po bëjnë pretendime të rreme duke postuar informacione të vjetra ose të disponueshme publikisht për të fituar popullaritet ose lavdi, tha Finkelstein.
Fowler tha se ai ndjen se Anonymous është, megjithatë, i përkushtuar më shumë për “kauzën” sesa për famë.
“Në atë që pashë në këto baza të dhënash, ishte më shumë për mesazhet sesa për të thënë se është një grup që po bën diçka. Ato janë më shumë të përqendruar në rezultatin përfundimtar”.
Një “Robin Hood” kibernetik
“Hakktivistët që kryejnë aktivitete të ngjashme me luftën kibernetike pa autoritetin e qeverisë po angazhohen në akte kriminale”, tha Paul de Souza, themeluesi i Iniciativës së Forumit të Sigurisë Kibernetike.
Pavarësisht kësaj, shumë përdorues të mediave sociale po brohorasin për përpjekjet e Anonymous, me shumë postime që marrin mijëra pëlqime dhe mesazhe mbështetjeje.
“Ata janë pothuajse si një Robin Hood kibernetik, kur bëhet fjalë për shkaqe për të cilat njerëzit me të vërtetë kujdesen, për të cilat askush tjetër nuk mund të bëjë asgjë”, tha Fowler.
Shumë grupe hakktiviste kanë vlera të mëdha, tha Marianne Bailey, ish-punonjëse e sigurisë kibernetike me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA. Aktivizmi kibernetik është një mënyrë me kosto të ulët që ata të ndikojnë në vendimmarrje.
“Është një lloj proteste e shekullit 21”, tha Bailey.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje