Deputetët e PD-së zyrtare dhe ata të grupit të rithemelimit u bënë bashkë parimisht në kërkesën për thirrjen në interpelancë të Kryeministrit Edi Rama në lidhje me krizën e çmimeve, por në Kuvend paraqitën dy kërkesa të ndryshme.
Kërkesa e parë u mbrojt nga Edmond Spaho në emër të grupit të rithemelimit dhe dokumenti ishte dorëzuar për interpelancë urgjente me Ramën ditën e martë.
Kërkesa e dytë për interpelancë urgjente, këtë herë nga PD zyrtare u shqiptua nga Sekretari i Grupit Parlamentar të PD-së, Arbi Agalliu. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e rrëzoi, duke thënë se rregullorja parashikonte që kërkesat për interpelancë urgjente dorëzoheshin të hënën brenda orës 16:00. Por, deputeti Tritan Shehu tha se e hëna ishte pushim, ndërsa Nikolla iu përgjigj se kërkesa mund të ishte dorëzuar përmes postës elektronike.
Dokumenti tjetër që bashkoi votat e deputetëve të Bashës dhe të Berishës në Kuvend ishte rezoluta e propozuar nga opozita, që dënon agresonin rus në Ukrainë, qëndrimin e Serbisë për këtë agreson dhe i kërkon Shqipërisë daljen nga Ballkani i Hapur.
Socialistët e rrëzuan këtë rezolutë, ndërsa momenti kur Lindita Nikolla e hodhi për votim e gjeti Sali Berishën duke u larguar nga foltorja e Kuvendit dhe pranë deputetit socialist, Eduart Shalsi. Ai rrëmbeu kartonin jeshil të Shalsit për të votuar pro, veprim që shkaktoi batuta e të qeshura në sallë.
Pro, veç Flamur Nokës, Edi Palokës, Albana Vokshit e të tjerëve të grupit të rithemelimit votuan edhe deputetët e PD-së zyrtare, si Bujar Leskaj, Arbi Agalliu, Sorina Koti dhe Ferdinand Xhaferaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje