Bota

Shpërdoroi fonde të BE, arrestohet ish-kryeministri bullgar Bojko Borisov

Ish-kryeministri i Bullgarisë dhe kreu i partisë opozitare të qendrës së djathtë GERB, Bojko Borisov, është arrestuar vonë të enjten (17 mars) si pjesë e një operacioni policor të lidhur me hetimet e zyrës së prokurorit të Bashkimit Europian, tha ministria e brendshme.

Ish-ministri i financave Vladislav Goranov, ish-kryetarja e komisionit parlamentar buxhetor Menda Stoyanova si dhe këshilltarja e Borisovit për media, Sevdalina Arnaudova u arrestuan gjithashtu, tha ministria në një deklaratë.

“Një operacion në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar në lidhje me 120 raste të Prokurorisë Europiane në Bullgari. Kërkime dhe sekuestrime janë kryer në shumë adresa. Bojko Borisov, Vladislav Goranov, Menda Stoyanova dhe Sevdalina Arnaudova janë aktualisht të arrestuar,” tha ministria.

Kryeministri aktual, Kiril Petkov, ka reaguar mbi zhvillimin e fundit duke u shprehur se askush nuk është mbi ligjin.

Borisov është zyrtari i parë i lartë që arrestohet nga institucioni i prokurorisë së BE. Zyra e Prokurorit Publik Europian ka të drejtë të hetojë dhe procedojë krime në radhët e shteteve anëtare, në mënyrë të pavarur nga autoritetet kombëtare. Borisov ka shërbyer tre mandate si kryeministër i Bullgarisë, duke u zgjedhur për herë të parë në 2009.

Burimi: Swiss.info


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë