Ne rrjet

Minimumi jetik, Ministrja e Financës nuk ka thënë asgjë të gabuar…

Një deklaratë e ministres së Financave, Delina Ibrahimaj mbi minimumin jetik të jetesës në vend midis 130 dhe 140 eurove, nxiti komente, debate, fyerje, interpretime por jo verifikim. Mbi minimumin jetik të jetesës, apo kufirin  e rrezikut të varfërisë, kanë reaguar edhe dy eskpertë të ekonomisë në vend, duke shpjeguar paqartësitë dhe se ku qëndron problemi në profilet e tyre në rrjetet sociale.

Irena Beqiraj duke theksuar se fillimisht duhet të informohemi,  shkruan se kjo shifër është e vërtetë dhe se matet nga Avokati i Popullit e jo ministrja dhe kështu këtu nuk ka vend për kritika ndaj saj. Beqiraj shkruan se ministrja mund të kritikohet për faktin se ky minimum jetes është më i lartë se pensionet që jepen, më i lartë se ndihma ekonomike dhe se pagesa e papunësisë.

“Përshembull mund ta kritikojmë që minimumi jetik është 9.9% më i lartë se pensioni minimal për zonat urbane, 37.5% më e lartë s e pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më i lartë se ndihma ekonomike dhe 45.5% më i ulët se paga minimale, por jo për vlerën e minimumuit jetik. Matjen nuk e ka bërë ajo, as institucioni që ajo drejton”,- shkruan Beqiraj.

Për të njëjtin problem flet dhe eksperti Enea Janko, i cili thotë se me të vërtetë 140 euro është shifër e vogël, por do të ishtë progres madhor nëse qeveria shqiptare do të vendoste 140 euro për person në muaj si nivel të minimumit jetik që garantohet nga shteti.

Postimet e plota të dy ekspertëve;

Nga Irena Beqiraj*

Ministrja e Financës nuk ka thënë asgjë të gabuar.

A e dini që matja e fundit e minimumit jetik është bërë nga Avokati i Popullit dhe ka rezultuar 18.875 lekë në muaj ose 152 euro për person? Pra ky është kufiri i varfërisë i matur nga një institucion i pavarur nga Delina Ibrahimaj,

Sipas Bankës Botërore ky minimum është 5.5 dollarë në ditë opse 165 dollarë në muaj, në Shqipëri rreth 38.5% jetojnë poshtë këtij kufiri. Në këtë kontekst tek deklarata e ministres nuk shikoj ndonjë gabim madhor i cili të justifikojë të gjithë këtë lum komentesh negative mbi të personalisht.

A është kjo e mjaftueshme? Debati mund të jetë i gjatë…

Nëse duam të kritikojmë ministren padyshim që mund ta bëjmë. Përshembull mund ta kritikojmë që minimumi jetik është 9.9% më i lartë se pensioni minimal për zonat urbane, 37.5% më e lartë s e pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më i kartë se ndihma ekonomike dhe 45.5% më i ulët se paga minimale, por jo për vlerën e minimumuit jetik. Matjen nuk e ka bërë ajo, as institucioni që ajo drejton.

Nëse duam të jemi një shoqëri që duam të dëgjohemi , mbi të gjitha duhet të informohemi .

Kritika e informuar ndihmon debatin edhe arritjet e qëllimeve , sharjet emocionale pa informacion, ulin ndjeshëm ndjeshmërinë e dëgjimit .

Nga Enea Janko*

MINIMUMI JETIK 140 € PËR PERSON NË MUAJ.

Vërej një lum kritikash dhe mosaprovimi për deklaratën e ministres së Financave që një qytetar shqiptar me të ardhura 130-140 euro në muaj nuk konsiderohet i varfër.

E kuptoj që 140 euro ose rreth 17.220 lekë të reja në muaj për një person janë shumë paj për të përballuar jetesën dhe çmimet e larta në Shqipëri, por unë do ta konsideroja një vendim shumë madhor dhe progresiv nëse qeveria shqiptare do të vendoste 140 euro për person në muaj si nivel të minimumit jetik që garantohet nga shteti.

Ky vendim do të sillte një ndryshim rrënjësor për jetën dhe dinjitetin e mbi 1 milion shqiptarëve, prandaj duhet kërkuar me insistim nga e gjithë shoqëria në këtë situatë të vështirë krize, kur vetëm të ardhurat e buxhetit të shtetit po fryhen nga rritja e çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë