Politike

Balla: SPAK hap procedim penal për kompleksin ‘Partizani’, por prokuroria e Tiranës ka mbyllur dosjen CEZ

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se ka marrë përgjigje nga Prokuroria e Posaçme dhe nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dy kërkesa që dorëzoi dy javë më parë dy çështje që po hetohen, në të cilat socialistët akuzojnë si të përfshirë Sali Berishën.

Çështja e parë lidhej me privatizimin e kompleksit Partizani, që sipas Ballës, SPAK ka regjistruar procedim penal.

“Kam marrë informacion për kallëzimin e vjeshtës 2020 në ngarkim të disa shtetasve, ndër ta edhe Sali Berisha për tjetërsimin e pronës së kompleksit Partizani. Kam marrë përgjigje nga prokuroria speciale, ku jam informuar nga kreu i saj, Arben Kraja se për këtë është regjistruar procedim penal dhe besoj e shpresoj, që edhe unë që kam bërë kallëzimin të më thërrasin që të jap gjithçka di”, tha Balla.

Çështja e dytë lidhet me CEZ dhe kompaninë DIA. Për këtë çështje, Balla thotë se është informuaar që prokuroria ka kërkuar pushimin e saj.

“Jam informuar që ka pasur një kallëzim tjetër nga një qytetar sa i përket aferës CEZ, që mbetet një prej aferave më të rënda në financat e vendit, që është dashur të hetohet. Jam informuar që çështjet janë bashkuar dhe Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen, edhe pse asnjë prej personave që janë kallëzuar nga komisioni hetimor nuk u mor në pyetje”, deklaroi ai.

Sipas Ballës, kjo çështje është kryekëput korruptive dhe prokuroria do të duhej që të kishte marrë të pandehur edhe Sali Berishën. Ai tha se vendimet e prokurorisë për ta mbyllur atë do të sfidohen.

“Ka plot elemente të reja që kanë dalë që mund të justifikojnë një kallëzim të ri penal në këtë çështje. Kush ka ngjyer gishtat, krahun, trupin me atë çështje të jeni të sigurt që nuk shpëton”, shtoi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë