Politike

Kuvendi në seancë plenare, dy interpelanca të kërkuara nga opozita për çmimet

Kuvendi mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, ku në rend të ditës janë dy interpelanca me ministrat dhe një seancë pyetjesh për ministrin e Brendshëm, Bledar Çuçi.

Interpelanca e parë është kërkuar nga Partia Demokratike me Kryeministrin Edi Rama për krizën e çmimeve. Rama vetë këtë të enjte ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s për luftën në Ukrainë.

Por, pyetjeve të opozitës pritet që t’i përgjigjet ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Interpelanca e dytë është kërkuar nga Flamur Noka dhe Albana Vokshi me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, për çmimin e naftës dhe situatën energjitike në vend.

Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka adresuar disa pyetje për ministrin e Brendshëm, Bledar Çuçi në lidhje me veprimet e policisë së shtetit gjatë protestave të fundit kundër rritjes së çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë