Gjykata e Tiranës regjistroi të premten statutin e Sali Berishës të 11 dhjetorit dhe vendimet e marra në atë Kuvend.
Vendimi u mor nga gjyqtari Agron Zhukri, për të cilin linja zyrtare e PD-së kërkoi gjatë procesit përjashtimin nga gjykimi.
Kuvendi i 11 dhjetorit shkarkoi Lulzim Bashën, lidershipin dhe gjithë kryesinë, si dhe anuloi thirrjen për mbajtjen e Kuvendit më 18 dhjetor. Deri këtu gjithçka është e qartë.
Ajo që nuk po duket si e tillë është debati juridik nëse ky vendim duhet ankimuar apo jo.
Pas marrjes së këtij vendimi, Enkelejd Alibaj tha nga PD-ja se vendimi nuk mund të zbatohej pasi ai do ta ankimonte atë në Apel dhe vetëm atëherë palët do të bindeshin.
Pra me argumentin juridik të Alibeajt ai mbetet kryetar i komanduar, kryesia po ashtu, selia dhe kuvendi i 18 dhjetorit.
Një tjetër jurist që deri para 9 shtatorit ka mbrojtur të gjitha çështjet juridike të PD-së, Ivi Kaso, (i rreshtuar kah Berishës) tha se vendimi nuk mund të ankimohej në këtë rast pasi nuk kishte palë kundërshtare në gjykim.
Edhe juristi Jordan Daci tha në një prononcim për mediat se, Gjykata e Tiranës ka shpjeguar se efekti i vendimit ka filluar dhe se nuk do të kishte kuptim të ankimohej.
Të njëjtën logjike juridike ka shpjeguar edhe avokati tjetër Genc Gjokutaj.
“Absolutisht, është i paankimueshëm… A mundet kush që në një gjykim, në historinë e gjykimeve botërore, gjykata ka pranuar kërkesën e kërkuesit dhe kërkuesi ankimohet dhe ankimohet që çështja të prishet dhe të rikthehet për gjykim?! Se nuk ka çfarë kërkon tjetër. Dhe po të shikoni, ankimin unë e kam në dorë, thotë as më pak e as më shumë , thotë “të prishet ky vendim, të kthehet për gjykim dhe të njihen ndryshimet për statusin e datës 17 korrik më duket, kur ishte i 2021-it. Pra, ky thotë “të prishet ky vendim, të kthehet për rigjykim” dhe të pranohet kjo që është pranuar!!!
Kjo është një tallje, është një turp juridik i “gazmendërisë”, sepse ai është Sekretar i Përgjithshëm dhe jurist në atë parti dhe t’i vijë zor që depoziton shkresa të tilla pa asnjë vlerë juridike, vetëm e vetëm për të penguar regjistrimin e sotëm…”, tha ai, duke iu referuar ankimimit që PD-ja zyrtare kishte bërë në Gjykatën e Apelit të Tiranës për vendimin e shkallës së parë të 18 janarit, që regjistroi ndryshimet e statutit të partisë sipas vendimeve të marra nga Kuvendi i 17 korrikut të vitit të kaluar, kohë kur Basha e Berisha ishin bashkë. Në këtë rast, PD-ja ankimoi veten pasi vetëm ajo ishte palë.
Gjokutaj nënvizoi më tej se, “depozitimi i statutit të 11 dhjetorit nuk është gjykim me palë kundërshtare, nuk ka pretendime, është thjesht një akt njohjeje, nuk është akt gjykimi” ndaj dhe nuk mund të ankimohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje