Bota

Ukraina, 565 mld dollarë dëm ekonomik nga lufta. Qyteti i Irpinit çlirohet nga rusët

Gazeta Si – Deri më tani, pushtimi rus i Ukrainës i ka kushtuar Kievit 564.9 miliardë dollarë. Kështu deklaroi ministrja ukrainase e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko, duke saktësuar se kostot i referohen dëmtimit të infrastrukturës, humbjes së rritjes ekonomike dhe faktorëve të tjerë.

Sipas një postimi në rrjetet sociale të ministres, rreth 8.000 km rrugë dhe 10 milionë metra katrorë banesa janë dëmtuar ose shkatërruar si pasojë e luftimeve.

Konkretisht, humbjet për infrastrukturat janë 119 miliardë dollarë (gati 8 mijë km rrugë, dhjetëra stacione hekurudhore, aeroporte të shkatërruara dhe të dëmtuara); 112 miliardë dollarë për PBB në 2022; 90.5 miliardë humbje të lidhura me popullsinë civile (10 milionë metra katrorë shtëpi, 200,000 makina, siguri ushqimore për 5 milionë njerëz); 80 miliardë dollarë humbje për bizneset dhe organizatat; 54 miliardë dollarë humbje nga investimet direkte në ekonominë e Ukrainës; 48 miliardë dollarë humbje nga buxheti i shtetit.

“Irpini ynë është çliruar nga e keqja e Moskës! Lavdi Ukrainës”. Kështu deklaroi në Telegram kryetari i qytetit në periferi të Kievit, Alexander Markushin, duke nwnkuptuar çlirimin e qytetit tw vogwl pranw Kievit nga forcat ushtarake ukrainase.

Ndërkohë, gati pesë mijë njerëz vdiqën në rrethimin rus të Mariupolit, duke përfshirë 210 fëmijë.

Kështu deklaroi kryetari i qytetit-port ukrainas, Vadym Boychenko. Rrethimi i Mariupolit ka nisur prej 28 ditësh dhe sipas kryetarit të bashkisë, 140,000 njerëz arritën të arratiseshin përpara se të mbylleshin daljet, ndërsa 150,000 të tjerë u evakuuan më pas dhe 30,000 u “deportuan” në Rusi ose zonat e pushtuara nga rusët në Ukrainën lindore. Rreth 170,000 njerëz mbeten të bllokuar në qytet.

Gjatë rrethimit, tha përsëri kryebashkiaku, bombardimet dëmtuan 2,340 ndërtesa banimi dhe 61,200 ndërtesa private.

Tre spitale u shkatërruan, shtatë të tjerë u dëmtuan, si dhe 57 shkolla dhe 70 kopshte, dy fabrika, një port dhe një repart ushtarak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë