Bota

Tym i bardhë nga Stambolli, Ukraina: Garanci e neutralitet. Rusia drejt tërheqjes nga Kievi

Gazeta Si – Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë, kanë konfirmuar se janë pranë marrëveshjes për mosantarësimin e Ukrainës në NATO, motivi që nxiti Vladimir Putinin të urdhërojë nisjen e sulmit rus në Ukrainë me 24 shkurt.

Pas 4 orësh, bisedimet e Stambollit mes Rusisë dhe Ukrainës kanë dhënë rezultate të mjaftueshme për organizimin e një takimi kokë më kokë mes presidentëve të dy vendeve, Vladimir Putin dhe Volodimir Zelenskij.

Pala ruse thotë se ka marrë propozimin me shkrim nga ukrainasit, që garanton mosantarësimin në NATO të këtij vendi dhe demilitarizimin. Por Kievi thotë se nuk do të heqë dorë nga synimi për t’u antarësuar në Bashkimin Europian.

Përsa i përket kushtit të Moskës për njohjen e Krimesë si territor rus dhe pavarësinë e republikave separatiste të Luhanskut e Donjeckut, Kievi propozon një komision të posaçëm me afat 15-vjeçar, që mund të çojë në një zgjidhje graduale përfundimtare.

Kështu deklaroi këshilltari presidencial ukrainas, Mikhailo Podolyak, në fund të raundit të negociatave në prani edhe të presidentit turk, Erdogan.

“Ne do të vazhdojmë negociatat me Rusinë, por do të përfshijmë edhe vendet garantuese”, – tha Podolyak, duke përmendur Izraelin, Turqinë, Kanadanë dhe Poloninë.

Nëse sistemi i garancive për sigurinë e Ukrainës, i propozuar Rusisë, do të “funksiononte”, qeveria e Kievit do të pranonte statusin e “neutralitetit”, shtoi kreu i delegacionit ukrainas, David Arakhmia.

Me neutralitet, specifikoi ai, nuk do të kishte baza të huaja në Ukrainë. Kryenegociatori rus Medinsky, i cituar nga agjenci e lajmeve “TASS”, foli për “bisedime konstruktive”.

Një takim mes Putinit dhe Zelenskijt do të jetë i mundur vetëm pasi të nënshkruhet një marrëveshje paqeje nga ministrat e Jashtëm përkatës. “Ne do të ndërmarrim dy hapa konkretë për të përshkallëzuar krizën”, – përfundoi Medinsky, duke njoftuar se “Rusia do të ndalojë aktivitetin ushtarak pranë Kievit dhe Chernihiv”.

Nëse puna për traktatin Moskë-Kiev lëviz shpejt dhe gjendet një kompromis, mundësia e një traktati paqeje do të jetë më afër, përfundoi Medinsky.

Edhe zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Alexander Fomin ka deklaruar se Rusia do të reduktojë ndjeshëm luftimet në Kievit dhe Chernihiv-it – sipas agjencisë së lajmeve Tass.

Negociatorët janë shprehur se një referendum ka të ngjarë që të mbahet, ndërkohë që kanë shtuar se Ukraina do të dëshironte marrëveshje të plota paqeje.

Pesë kushtet e Ukrainës

1-Ndërhyrjen e vendeve garante nëse Rusia sulmon pas tre ditësh nga negociatat. Në rast sulmi vendet garante, të sigurojnë armë për Kievin dhe të vendosin një zonë ndalim-fluturimi.

2- Në shkëmbim, Ukraina shpall statusin e neutralitetit, me regjim jo-bërthamor, pa baza të huaja ushtarake në vend. Ukraina mund të kandidojë për t’u anëtarësuar në BE, të mos ndikohet nga statusi i neutralitetit.

3- Ukraina dhe Rusia do  të diskutojnë statusin e Krimesë për 15 vitet e ardhshme.

4-Putin dhe Zelensky do të diskutojnë personalisht ballë për ballë në lidhje me mosmarrëveshjen e Donbasit. Rusia thotë se garancitë e sigurisë nuk do të mbulojnë Krimenë dhe Donbasin.

5- Si do të ratifikohet? Ukraina do të mbajë një referendum për marrëveshjen e statusit të neutralitetit. Nëse njerëzit e miratojnë, atëherë garantët do ta miratojnë nëpërmjet parlamenteve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë