Gazeta Si – Konflikti ruso-ukrainas ka arritur në ditën e 35-të. Pas vezullimeve të paqes që u shfaqën gjatë bisedimeve të para, negociatat mes delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll po shikohen me shpresë.
Megjithatë, presidenti ukrainas Zelensky thotë se nuk i beson Moskës derisa të shihen efekte konkrete në terren.
Dhe ai përjashton mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë derisa të përfundojë lufta. Ndërkohë, bombardimet kanë rifilluar pranë Kievit.
“Nuk është armëpushim”, saktësoi qeveria ruse, duke ftohur shpresat që lindën pas njoftimit për një reduktim drastik të aktiviteteve ushtarake në Kiev dhe Chernihiv.
Në fakt kryeqyteti përjetoi një tjetër natë tmerri nën zhurmën e sirenave dhe bombardimeve.
Një tjetër shpërthim është dëgjuar në Oktjabrskij, një fshat në rajonin rus të Belgorodit, pak kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ende nuk dihet shkaku i shpërthimeve, por një depo municioni të mori flakë.
Edhe shtabi i përgithshëm i ushtrisë ukrainase ka paralajmëruar dyshimet e tij mbi reduktimin e aktivitetit ushtarak nga Moska.
“Ka indikacione se forcat ruse po riorganizohen për të përqendruar përpjekjet e tyre në Ukrainën lindore”, “në të njëjtën kohë e ashtuquajtura ‘tërheqja e trupave’, ka shumë të ngjarë të jetë një rotacion i njësive individuale dhe synon të mashtrojë udhëheqjen ushtarake ukrainase”, duke krijuar keqkuptim se rusët kanë vendosur të mos përpiqen të rrethojnë Kievin.
Kievi: 17,300 ushtarë rusë të vrarë që nga 24 shkurti
Sipas shtabit të përgjithshëm ukrainas, të cituar nga “Kyiv Independent”, 17,300 ushtarë rusë janë vrarë që nga 24 shkurti.
Këto janë shifra të pa konfirmuara nga Kremlini, i cili më 25 mars dha lajmin për 1.351 ushtarë rusë të vdekur në betejë.
Gjithashtu, sipas Kievit, u shkatërruan 1.723 tanke ruse, 1184 automjete, 305 copë artileri, 54 sisteme luftarake kundërajrore, 96 sisteme raketash, 131 avionë, 131 helikopterë, 75 tanke karburanti, 21 copë pajisje speciale, 81 dronë dhe shtatë anije.
Kievi kërkon misionin e OKB-së në Çernobil
“Ne kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të marrë menjëherë masa për të çmilitarizuar zonën e përjashtimit të Çernobilit dhe të prezantojë një mision të posaçëm të OKB-së për të eliminuar rrezikun e një përsëritjeje të një katastrofe bërthamore”.
Këtë e tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshcuk, sipas mediave ndërkombëtare, gjatë konferencës për shtyp në të cilën ajo shpalli korridoret e reja humanitare të dakorduara për sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje