Kryeministri Edi Rama tha se në nivel personal ndjek keqardhje për rastin Alqi Bllako, por në nivel politik përsëriti se përgjegjësia është personale dhe vetëm e deputetit të dorëhequr të Partisë Socialiste.
“Individët janë të vetes dhe përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka politikanë, nuk ka të fortë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë. Në nivel njerëzor, personal jam shumë i keqardhur. Nuk ka përgjegjësi kolektive, por zgjedhjet që bën në jetë bazohen mbi një sërë arsyesh dhe kriteresh të cilat nuk prezumojnë për askënd se kush zgjedh është përgjegjës, nëse i zgjedhuri në një ditë të caktuar shkel ligjin”, deklaroi Rama.
Rama tha se e gjitha kjo që po ndodh me hetimet është pjesë e reformës në drejtësi, që ai personalisht dhe Partia Socialiste kanë qenë promotorë.
“Gjithçka po ndodh nuk është gjë tjetër veç se përgjigja për të gjithë ata që nuk besonin se në Shqipëri do të bëhej një reformë në drejtësi, që edhe njerëz me pushtet do të shkonin para drejtësisë, nuk besonin që këtë reformë e ndërmorëm, dhe unë personalisht, me shumë vendosmëri, bashkë me PS, e kemi udhëhequr dhe do të vazhdojmë ta mbështesim jo për të kapitur drejtësinë, por për të krijuar kushtet që me kohë, mund, durim e me ngritjet e uljet e veta, procesi të bëjë të mundur që të kemi drejtësi për gjeneratën tjetër”, tha ai.
Kryeministri foli në fund të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Ai tha se në këtë mbledhje ishte diskutuar për mbledhjen e kongresit më 9 prill, statutin e ri të partisë dhe përjashtoi prerazi ndryshimet në qeveri.
“S’ka pse të ketë ndryshime në Qeveri”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje