Politike

Asnjë incenerator nuk prodhon energji, Rama: Ndërtuam impiante prodhimi energjie

Kryeministri Edi Rama mbrojti koncesionet e inceneratorëve dhe u shpreh krenar për këto vepra, që sipas tij nuk janë thjesht djegësa të mbetjeve.

“Që nga fakti që akoma flitet për inceneratorë, ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë, kemi ndërtuar impiante të prodhimit të energjisë nga mbetjet. Ne kemi ndërtuar impiante për prodhimin e energjisë. Unë jam shumë krenar, sepse veprat janë aty. Nëse në këtë proces dhe në çdo proces tjetër individë të caktuar me një përgjegjësi të caktuar, përveçse bëjnë punën e shtetit bëjnë edhe punën e xhepit të tyre kjo nuk ka lidhje me programin dhe qëllimin e qeverisë”, tha ai.

Por, gjatë punimeve të komisionit hetimor parlamentar u provua se asnjëri prej inceneratorëve nuk prodhon aktualisht energji elektrike. Inceneratori i Elbasanit, siç dëshmoi para komisionit administratori i tij është i lidhur në rrjet, ka prodhuar rreth 13 mln kilovat energji, por nuk është në gjendje që të arkëtojë nga kjo energji, sepse mungon një vendim nga Enti Rregullator i Energjisë për çmimin.

Ndërkohë, inceneratori i Fierit, sipas hetimit parlamentar dhe dëshmive të dhëna jo vetëm që nuk prodhon energji, por nuk ka nisur ende punën e djegies së mbetjeve megjithëse është në fazë të avancuar për t’u ndërtuar.

Në inceneratorin e Tiranës, ndërkohë, aktualisht kryhet vetëm procesi i selektimit dhe groposjes së mbetjeve, pasi incenerator nuk ka ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë