Gazeta Si – Lufta në Ukrainë arriti këtë të premte ditën e 37-të. Helikopterët ukrainas nisën një sulm në depozitat e naftës të qytetit rus të Belgorod, ku 8 tanke u përfshinë nga zjarri. Ndërkohë, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Kievit, të paktën 153 fëmijë janë vrarë dhe 245 janë plagosur që nga fillimi i konfliktit.
Ata janë “tradhtarë”. Me këtë akuzë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenskij largoi dy gjeneralë, sipas asaj që ai vetë bëri të ditur mbrëmë.
“Sot është marrë një tjetër vendim në lidhje me anti-heronjtë, – tha ai. – Tani nuk kam kohë të merrem me gjithë këta tradhtarë, por gradualisht ata do të ndëshkohen”.
Gjeneralët e shkarkuar, janë ish-shefi i departamentit kryesor të shërbimit të sigurisë së brendshme (SBU), Naumov Andriy Olehovych dhe ish-shefi i shërbimit të sigurisë në rajonin Kherson, Serhiy Oleksandrovych.
“Këta ushtarakë që nuk kanë vendosur ende se ku është atdheu i tyre, – denoncoi ai përsëri, – që kanë shkelur betimin e besnikërisë ndaj popullit ukrainas për mbrojtjen e shtetit, lirinë dhe pavarësinë e tij, në mënyrë të pashmangshme, do t’u hiqet grada ushtarake”.
An oil depot is on fire in #Belgorod, #Russia.
— NEXTA (@nexta_tv) April 1, 2022
"The emergency services went to the place of fire, measures are being taken to eliminate it", said Gladkov, the governor of the region in his Telegram channel. pic.twitter.com/ey7rC5ChSz
Ndërkohë, një sulm ajror nga dy helikopterë ushtarakë ukrainas dyshohet se goditi një depo nafte në Belgorod, Rusi, duke shkaktuar një zjarr të madh.
Guvernatori i rajonit, Vyacheslav Gladkov, e raportoi lajmin në Telegram. Sipas guvernatorit, aktualisht nuk ka probleme me furnizimin me karburant në pikat e furnizimit.
“Situata është e qetë. Nuk ka pasur mungesë karburantesh, nuk ka dhe nuk do të ketë”, ka shkruar ai, duke ritheksuar se “nuk ka pasur viktima”.
Ndërkohë, ministria ruse për Emergjencat – sipas agjencisë Tass – ka dërguar të paktën 170 zjarrfikës të ndihmuar nga 50 automjete për të shuar zjarrin, i cili përshkruhet si një zjarr i përmasave të konsiderueshme. Banorët e shtëpive pranë depos që digjej janë larguar nga banesat e tyre.
“153 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 245 janë plagosur” në Ukrainë që nga fillimi i agresionit të armatosur të Federatës Ruse.
Kështu ka raportuar Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës në Telegram. Në pesë javë që nga pushtimi, i cili filloi më 24 shkurt, një e katërta e popullsisë është detyruar të braktisë shtëpitë e tyre: në veçanti, shton UNHCR, mbi 4 milionë refugjatë janë larguar nga vendi dhe 6.5 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, kjo është kriza me rritjen më të shpejtë të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje