Komunitet

Kreu i Komunitetit Mysliman uron besimtarët për muajin e Ramazanit: Nesër, nisim rrugëtimin e lartësimit shpirtëror

Bujar Spahiu, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e bekuar të Ramazanit i cili nis ditën e nesërme (e shtunë). Spahiu thotë se nesër myslimanët në Shqipëri dhe mbarë botën nisin një rrugëtim të lartësimit shpirtëror, moral, pse jo edhe shëndetësor.

“Të dashur besimtarë myslimanë dhe gjithë ju bashkëkombas brenda dhe jashtë Shqipërisë. Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit”, ka thënë Spahiu.

Më datë 27 prill, ditë e mërkurë, është Nata e kadrit dhe me datë 2 maj është Dita e parë e Fiter Bajramit që falet në orën 06:20.

Kalendari i muajit të Ramazanit. Gazeta “Si”, 1 prill 2022.

Agjërimi nënkupton vetëpërmbajtjen e besimtarëve nga një sërë kënaqësish të kësaj bote, siç janë ushqimet, pijet etj, por Ramazani është edhe vetëpërmbajtje e lartë dhe largim nga çdo ves apo vepër e papërshtatshme.

“Lutemi për më shumë kujdes e vëmendje ndaj nevojtarëve, jetimëve, të moshuarve e fëmijëve”, thotë Spahiu.

Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiston në privimin me vetëdije nga ngrënia dhe pirja prej agimit deri në perëndim të diellit.

Agjërimi i Ramazanit është bërë obligim në muajin Shaban, viti i dytë hixhri, nëpërmjet ajetit 183 të sures Bekare, ku thuhet: “O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”.

Fakti që Ramazani, i cili llogaritet sipas kalendarit hënor, rastis në të gjithë muajt e vitit kalendarik diellor, përmban një urtësi krejt të veçantë sipas besimtarëve. Kështu, agjërimi mbahet në ditë të nxehta e të ftohta, të gjata e të shkurtra, duke i prekur të gjitha ditët e vitit në intervale të caktuara e duke u përsëritur çdo 33 vjet.

Kush e ka detyrim agjërimin

Ashtu si tek adhurimet e tjera, edhe tek agjërimi, përgjegjës për të agjëruar janë personat që plotësojnë kriteret e kërkuara, si më poshtë:

Personi duhet të jetë mysliman. Që dikush ta ketë detyrim (farz) agjërimin, duhet të jetë mysliman. Jomyslimanët nuk obligohen të agjërojnë.

Duhet të ketë hyrë në moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Personat që nuk e kanë arritur moshën e pubertetit, nuk konsiderohen fetarisht përgjegjës për të kryer adhurime të caktuara. Konkretisht, fëmijët dhe personat me të meta mendore janë të përjashtuar nga obligimi i agjërimit.

Duhet të jetë i shëndetshëm për të agjëruar dhe duhet të jetë vendas. Që dikush ta ketë detyrë agjërimin, duhet të jetë fizikisht i shëndoshë (të mos ketë të meta trupore që e bëjnë të paaftë për të agjëruar); duhet të jetë klinikisht i shëndoshë, pra të mos jetë i sëmurë; dhe të jetë vendas, pra të mos jetë në udhëtim. Ndërkaq, po qe se kategoritë e mësipërme e agjërojnë, adhurimi i tyre është i vlefshëm. Por, nëse e përdorin lejen që u është dhënë dhe nuk agjërojnë, ditët e paagjëruara i zëvendësojnë në një kohë tjetër.

Çfarë e prish agjërimin:

Marrëdhëniet intime bashkëshortore nga agimi deri në perëndim të diellit.

Ngrënia, pirja apo përdorimi i ilaçeve.

Pirja e duhanit, thithja me qëllim e tymrave, avujve, etj.

Përtypja e çamçakëzit.

Hyrja në trup e diçkaje nga goja, hunda, veshi, etj.

Dalja e gjakut nga goja dhe gëlltitja e tij.

Si për çdo adhurim, edhe për agjërimin e Ramazanit, që kryhet një herë në vit, ka një sërë rregullash që duhen respektuar. Këto rregulla kanë të bëjnë me tri loje situatash në të cilat gjendet personi që agjëron:

Situatat që e prishin agjërimin, por kërkojnë vetëm zëvendësimin e tij. Këto situata ndodhin kur agjëruesi, pa dashje ose me shkujdesjen e tij, ose duke gabuar pa qëllim, e prish agjërimin. Në këto lloj rastesh, personi kompenson vetëm atë ditë pas Ramazanit.

Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe zëvendësimin edhe dëmshpërblimin e tij. Kjo ndodh kur agjëruesi e prish agjërimin pa arsyet e caktuara, me qëllim e vetëdije të plotë. Kush e prish me qëllim agjërimin, duhet të agjërojë ditën ose ditët që ka prishur, si dhe gjashtëdhjetë ditë radhazi pa ndërprerje si shpagim. Në pamundësi të kësaj, duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër.

Situatat që nuk e prishin agjërimin kur ndodhin në harresë. Kur agjëruesi e prish agjërimin në harresë e sipër, prej tij nuk kërkohet gjë tjetër përveç vazhdimit të agjërimit.

Nata e Kadrit

Nata e Kadrit është njëra prej netëve të Ramazanit. Kadrit është më e dobishme se njëmijë muaj. Fjala “kadr” do të thotë fuqi, sundim, nder, vlerë, caktim.

Ndërkohë, asnjë natë nuk krahasohet për nga vlerat, mirësitë dhe begatitë me Natën e Kadrit.

Gjithashtu, Sadakaja e Fitrit është një nga detyrimet që duhet kryer brenda hapësirës kohore të Ramazanit. Me të obligohet çdo mysliman, pa dallim moshe a gjinie.

Qëllimi i këtij adhurimi është pastrimi i agjëruesit nga mangësitë dhe pakujdesitë e tij gjatë Ramazanit. Ajo llogaritet që të jepet në një sasi të caktuar për çdo pjesëtar të familjes. Kjo sasi duhet t’i jepet një njeriu vërtet në nevojë.

Koha e dhënies dhe e pranimit të saj është deri para faljes së namazit të bajramit. Nëse jepet më pas, nuk konsiderohet si Sadaka e Fitrit, por si një lëmoshë e thjeshtë.

Vlera e sadakasë nuk matet me sasinë e dhënë, por me gëzimin që ajo sjell. Vlera minimale e Sadakasë së Fitrit e përcaktuar për këtë vit është 200 Lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë