Kryeministri Edi Rama deklaroi më 30 mars, një ditë pasi SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Alqi Bllako se qeveria nuk ka ndërtuar thjesht djegësa të mbetjeve, por impiante të prodhimit të energjisë elektrike.
Këtë qëndrim e ka mbështetur edhe më herët, si ai, ashtu edhe ish-ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri. Gjiknuri ishte në krye të kësaj ministrie kur nënshkroi kontratën për prodhimin e energjisë nga inceneratori i Elbasanit. Ai shpjegoi më 22 shkurt, para komisionit të inceneratorëve idenë e prodhimit të energjisë elektrike nga inceneratorët.
Nga tre koncesionet e inceneratorëve, që sipas Qeverisë nuk janë thjesht djegësa të mbetjeve urbane, por dy prej tyre nuk prodhojnë ende energji elektrike, ndërsa njëri që prodhon, nuk është në gjendje që ta shesë atë.
Sipas dëshmive që u dhanë në Komisionin Hetimor për inceneratorët në mes të shkurtit në Kuvend, vetëm inceneratori i Elbasanit është në gjendje që të prodhojë energji. Por, edhe ky incenerator aktualisht nuk e prodhon atë. Arsyet, sipas asaj që tha administratori, janë për shkak të mungesës së sasisë së nevojshme të mbetjeve dhe mungesës së përcaktimit të çmimit nga Enti Rregullator i Energjisë.
Në Fier, impianti, sipas dëshmisë së administratorit Loran Duzha ka përfunduar në prill të 2021, por ai aktualisht as djeg mbetje e rrjedhimisht as prodhon energji. Sipas dëshmisë së administratorit, inceneratori është në fazë kolaudimi, prej prillit 2021 e deri më tani.
Inceneratori tjetër është ai i Tiranës. Ky i fundit nuk është ngritur ende. Punimet e vetme të kryera atje deri më tani lidhen me selektimin, riciklimin dhe groposjen e mbetjeve. Për ndërtimin e inceneratorit, administratorja e këtij inceneratori, Ariola Kodra tha para Komisionit Hetimor Parlamentar se kompania është brenda afateve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje