Gazeta Si – Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në Hungari dhe Serbi, dy liderët pro-rusë, Viktor Orban (kryeministri hungarez) dhe Alekandar Vuçiç (presidenti serb), kanë konfirmuar qëndrimin e tyre në pushtet, duke triumfuar bindshëm.
Në zgjedhjet e para të mbajtura në Bashkimin Europian që nga pushtimi i Ukrainës, Viktor Orbán u rizgjodh kryeministër i Hungarisë, sipas parashikimeve të para për rezultatet e zgjedhjeve politike të mbajtura të dielën.
“Ne kemi arritur një fitore kaq të madhe, sa mund të shihet edhe nga Hëna. Sigurisht edhe nga Brukseli”, tha ai gjatë natës.
Partia e tij, Fidesz, duhet të kishte arritur një rezultat jo shumë larg nga ai i katër viteve më parë, rreth 50%, kur fitoi një shumicë të vendeve prej mbi dy të tretat në Asamblenë Kombëtare. Opozita e gjashtë partive, të mbledhura rreth një kandidati të vetëm, do të kishte arritur 41% të votave.
Për Fidesz, ky rezultat duhet të përkthehet në 122-134 vende nga gjithsej 199. Në pushtet që nga viti 2010, Orbán siguron kështu mandatin e katërt radhazi: për 4 vitet e ardhshme ai do të vazhdojë të jetë problem për BE-në, e cila ka një sërë konfliktesh të hapura me qeverinë e Budapestit, e akuzuar për nxitje të korrupsionit dhe mbi të gjitha nuk respekton standardet e denja të sigurisë juridike.
Aleatët për Hungarinë, grupi gjashtëpalësh që u përpoq të rrëzonte Orbanin, nuk arriti të kapërcejë pengesat që kryeministri ka krijuar gjatë viteve në sistemin e votimit.
Që kur trupat ruse hynë në Ukrainë, debati elektoral është kthyer nga çështjet kombëtare, tek lufta dhe qëndrimi që Budapesti duhet të ketë përballë pushtimit të Putinit.
Orbán nuk vuri veton ndaj sanksioneve të BE-së kundër Moskës. Por ai kundërshtoi armatosjen e ukrainasve. Ai pretendon se kjo është në interes të Hungarisë. Në shkurt, ai vizitoi Putinin dhe ra dakord të rrisë importet e gazit nga 4.5 në 5.5 miliardë metra kub në vit. Përveç kësaj, Rusia po bashkëpunon në mënyrë aktive për ndërtimin e një centrali bërthamor në Hungari.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mori një tjetër mandat në krye të vendit në zgjedhjet e mbajtura të dielën.
Ai fitoi me 59.8% të votave kundrejt rivalit të tij Zdravko Ponosh, një ish-gjeneral në pension që arriti të grumbullojë vetëm 17.1% të votave. Më këtë rezultat, Vuçiç nuk ka nevojë të shkojë në një raund të dytë balotazhi.
Në fjalën e fitores, Vuçiç tha se konflikti në Ukrainë ndikoi në fushatë, por shtoi se Serbia nuk ka në plan të devijojë nga politika e saj balancuese midis një oferte për anëtarësim në BE dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Ai tha se Serbia do të ruajë politikën e saj të neutralitetit ushtarak dhe marrëdhëniet miqësore me Rusinë. Opozita dhe vëzhguesit e pavarur renditën një sërë shkeljesh në zgjedhje.
Vlen të përmendet se serbët e Kosovës nuk u lejuan të votojnë në territorin e tyre, por u morën me autobusë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje