Kur Lulzim Basha përkujtoi përmes një postimi në Facebook 2 Prillin e protestës anti-komuniste në Shkodër të vitit 1991 që përfundoi me katër të vrarë, ish-kryeministri Sali Berisha në anën tjetër po zhvillonte një ceremoni për ditën në fjalë pikërisht në Shkodër.
Duke hequr një paralele mes Berishës që ndodhej atje, dhe Bashës që hodhi një postim në Facebook shumë kush i kërkoi përmes komentesh këtij të fundit se pse nuk ishte në Shkodër në ditën simbolike për PD-në.
Lulzim Basha në fakt shkoi në Shkodër, por jo atë ditë. Një ditë më pas, me 3 Prill atëherë kur Berisha i kishte përcjelle të gjitha mesazhet politike se nuk do të bashkëpunonte me Ramën për postin e Presidentit, (qoftë kjo edhe për emrin e Lulzim Bashës) dhe se ai ishte i vetmi që kish mundur Ramën.
Lulzim Basha u shfaq para kamerave me Xhemal Bushatin në krah, kandidati përballe kryetarit aktual të Bashkisë, Bardh Spahia, që u mbështet nga Berisha zgjedhjet e 6 marsit.
Ai nuk zhvilloi ndonjë takim fshehtas apo larg vëmendjes së medias siç ka bërë këto kohë, por vendosi, që ashtu si edhe Berisha, t’i përcillte mesazhet publikisht, dhe mbi të gjitha edhe synimet e tij politike.
Në një prononcim për mediat, Basha foli nga Shkodra me qëndrime të ndryshme nga Berisha.
Basha e konsideroi palën tjetër brenda partisë (që ka marrë edhe selinë) një grusht njerëzish që rrethohen nga antivlerat dhe përcaktoi se e ardhmja e PD-së nuk mund të jetë me një person “non grata” referuar Berishës.
A është ai e ardhmja? Vetë Basha nuk e përcaktoi rrugën e tij se ku do të jetë.
Ai mohoi të jetë kandidat për president por la të hapur rrugën për në drejtimin e PD-së.
“Prej kohësh debati zhvendoset aty ku i leverdis një grushti njerëzish dhe jo aty ku duhet të jetë në interesin e shqiptarëve. Një grusht njerëzish mbajnë peng politikën dhe, përmes politikës, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit. Mos bini pre e trukeve. Çdo ditë ‘non grata’-t shpallin gënjeshtra për të hequr vëmendjen nga e vërteta. Demokracia është në krizë, ekonomia në krizë dhe shoqëria në krizë, për shkak të gënjeshtrave që behën për të grabitur dhe gënjeshtrave të atyre që janë në krah të regjimit. Nuk ka gënjeshtër për të hequr vëmendjen nga të vërtetat”, tha Basha për gazetarët.
“PD nuk bën dot përpara me ‘non grata’- t dhe pa u shkëputur plotësisht nga kultura e fshehjes së të vërtetës pas gjuhës së propagandës, linçimit dhe fyerjeve ndaj çdokujt që nuk mendon si 1, 2 ose 3. PD nuk bën dot përpara pa e parë të vërtetën në sy. Më 6 mars beteja e vërtetë është beteja mes vlerave dhe antivlerave. Bashkëpunimi i ‘non grata’- ve mund të ketë funksionuar. Bashkimi bëhet rreth vlerave.
Nuk mund të flasësh gjithë ditën për bashkimin, ndërkohë që ngre në piedestal antivlerat, përjashton njerëzit, kontributet dhe vlerat. Ata flasin për përballje me regjimin dhe, kur vjen puna për të votuar kundër regjimit, siç ishte rasti i inceneratorëve, i bashkojnë votat me regjimin dhe pastaj ndërmarrin sulme dhe shpikin gënjeshtra pas gënjeshtrash për t’u ikur të vërtetave”, tha Basha.
A do të kandidojë për kreun e PD-së? “Nuk bëhet fjalë për kandidim apo rikandidim. Nuk do t’i jap luksin askujt e as më pak dikujt që lufton për veten e tij që unë të flas për veten time. Nuk jam këtu për veten time, por për vlerat e PD-së dhe për vlerat dhe kontributet e demokratëve. Kam vite që detyra më ka detyruar të braktis jetën familjare dhe të braktis fëmijët dhe prindërit e mi”.
Kush do jetë e ardhmja e tij, parti, president apo çfarë?
“E ardhmja ime është e ardhmja ime është e ardhmja e përditshme e çdo shqiptari për të qëndruar fort për të vërtetën, për vlera dhe parimet. Është kohë e vështirë, është kohë me kosto të lartë. Është e vështirë dhe jo më në një shoqëri që ka 30 vjet pluralizëm. Është e vështirë për qytetarët dhe për politikën. Unë kam bërë shumë gabim, kjo është njerëzore, por faj nuk kam bërë. Kam mbrojtur interesat e demokratëve. Duke bërë këtë shumica e heshtur e demokrateve do ta përqafojnë këtë kulturë të re politike…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje