Bota

Foto/ Zelenskij në rrugët e qytetit Bucha: Ushtarët rusë si kasapë

Gazeta Si – Ai erdhi për të parë tmerrin e ndodhur në Bucha me sytë e tij. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskij, u përjetësua duke ecur, i shoqëruar nga kryebashkiaku Anatoly Fedorouk, nëpër rrugët e qytetit në periferi të Kievit, në skenën e një masakre të civilëve gjatë tërheqjes së ushtarëve rusë.

Zelenskij vizitoi gjithashtu spitalin e qytetit, si dhe varret masive të gjetura pas çlirimit të Bucha-s. I veshur me një jelek anti plumb, ai është fotografuar në mesin e ushtarëve ukrainas dhe duket mjaft qartë në fytyrën e tij pikëllimi teksa sheh masakrat që janë kryer në Bucha.

Presidenti foli me banorët, duke përsëritur se Rusia ka kryer krime lufte dhe gjenocid në Ukrainë.

Ai gjithashtu akuzoi ushtarët rusë si “kasap”, duke përdorur të njëjtën fjalë që Biden zgjodhi ditë më parë për të komentuar veprimet e Putinit. “Si mund të jenë bërë edhe ata kasap? Ata vranë qëllimisht dhe me kënaqësi”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të BBC-së për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje me Moskën, lideri ukrainas u përgjigj pozitivisht, “sepse Ukraina duhet të ketë paqe. Ne jemi në Evropën e shekullit të 21. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike dhe ushtarake”, – tha ai.

Zelenskij, shkoi gjithashtu në Irpin dhe Stoyanka, qytete të çliruara nga pushtimi rus.

Deri përpara pushtimit rus, Bucha ishte një zonë periferike e qetë e kryeqytetit ukrainas. Por tashmë, ndërsa ushtria ruse largohet nga periferitë e Kievit dhe fokusohet në Ukrainën lindore ka lënë pas vetëm shkatërrim.

Imazhet që përshkruajnë mizoritë kundër civilëve në qytetin ukrainas u panë pas tërheqjes së ushtrisë ruse nga rajoni i Kievit, dokumente që i referohen ekzekutimeve të civilëve, varreve masive. Masakra në Bucha  nxiti reagimin ndërkombëtar, duke e cilësuar Putinin si përgjegjës të kësaj masakre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë