Politike

PD: Padia e Alibeajt, jolegjitime. Sekretaria e gjykatës ta kthejë mbrapsht, nuk e parashikon Kodi  

Komisioni i Rithemelimit ka reaguar lidhur me padinë  e ngritur nga Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit.

“Së pari, sqarojmë se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të Partisë Demokratike. Kuvendi Kombëtar i PD dt.11 dhjetor 2021, ka mandatuar si të vetmin organ drejtues të Partisë Demokratike Komisionin e Rithemelimit të Partisë. Gjithashtu, Kuvendi ka shkarkuar Z. Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike. Pra, nuk përfaqëson PD në asnjë marrëdhënie me të tretët.

Së dyti, përsa i takon kërkesës ankimore, ajo është paraqitur nga persona të palegjitimuar të bëjnë ankim kundër vendimit të mësipërm të gjykatës”, thuhet ne reagimin e PD-së duke cituar më pas edhe Kodin e Procedurës Civile se pse nuk mund të bëhet ankim.

“Ankimi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre”

Pra, vetëm palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proçes mund të bëjnë ankim. Askush tjetër.

Me “palë“ kuptohet i padituri dhe personi i tretë.

Me “pjesmarrës te tjerë” kuptohet Avokati i Shtetit, i Popullit ose Prokurori atëherë kur ligji ua detyron pjesëmarrjen në një proces civil.

Ankimuesi, në këtë rast, nuk ka qenë as palë e as pjesëmarrës në proçes dhe nuk plotëson asnjë nga kriteret legjitimues për tu ankuar.

Ky gjykim është zhvilluar komform proçedures pa të paditur, pa persona të tretë dhe pa asnjë pjesmarrës tjetër. Vetem me “kërkues” Komisionin e Rithemelimit të PD. Njëlloj si në të gjitha rastet e tjera të këtij tip procesi.

Në këto kushte, Sekretaria e Gjykatës ku është paraqitur kërkesa ka detyrimin tua kthejë mbrapsht atë komform kritereve të Kodit të  Proçedurës Civile”, thuhet në deklaratën e PD.

“Së fundmi, PD denoncon aktin Basha – Alibeaj  si përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e PD kundër vullnetit të shumicës së demokratëve të shprehur qartë në kuvendin e tyre më 11 Dhjetor 2021 dhe të çertifikuar në kutitë e votimit më dt. 6 mars 2022”, thuhet në deklaratë


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë