Gazeta Si – Bashkimi Evropian ka propozuar sanksionimin e dy vajzave të presidentit rus Vladimir Putin, sipas asaj që shkruan gazeta amerikane “Wall Street Journal”, duke cituar “diplomatë në dijeni të planit”. Sanksionet e reja kundër vajzave të Putinit, mund të vijnë edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Herman Gref, kreu i bankës ruse “Sberbank” dhe oligarku Oleg Deripaska, mund të preken gjithashtu në paketën e re të sanksioneve, e cila do të konkretizohet në orët e ardhshme.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, dje nuk iu përgjigj pyetjeve specifike në lidhje me sanksionet e mundshme ndaj vajzave të Putinit – pa mohuar zyrtarisht mundësinë.
Putin, rrallë flet publikisht për familjen e tij. Lajmet zyrtare, të konfirmuara nga Kremlini, flasin për dy vajza që kishte me ish-gruan e tij, Lyudmila Putina: Maria dhe Katerina, 36 dhe 34 vjeçe (për arsye privatësie, dy vajzat kanë zgjedhur të ndryshonin identitetin, duke marrë mbiemra të ndryshëm: Katerina Tikhonova dhe Maria Vorontsova, por identiteti i tyre i ri nuk ka marrë kurrë konfirmim).
Nuk dihet nëse ai ka fëmijë të tjerë dhe nuk është e qartë nëse dënimet e përmendura kanë për qëllim vetëm vajzat e njohura.
Ditë më parë, dolën raporte se zonja e supozuar e Putinit, Alina Kabaeva, fshihet në Zvicër me fëmijët e tyre të vegjël.
Kabaeva, një ish-gjimnaste olimpike, fituese e medaljeve të arta, 38 vjeçe, ka katër fëmijë me liderin rus, 69 vjeç, por të dy nuk e kanë konfirmuar kurrë zyrtarisht këtë.
Vajzat e presidentit dhe ish-gruas së tij Lyudmila, të martuar në vitin 1983, u zhdukën nga skena zyrtare që në vitin 1999.
Ish-agjenti i KGB-së u zgjodh si pasardhës nga Boris Yeltsin dhe u emërua kryeministër (në vitin 2000 ai zuri vendin e Jelcinit, i cili dha dorëheqjen).
Menjëherë dy vajzat që studionin në shkollën gjermane në Moskë (familja kishte jetuar në Gjermaninë komuniste, kur Putin ishte kreu i stacionit të KGB-së në Drezden), u tërhoqën nga instituti dhe vazhduan vitin privatisht.
Zyrtarisht, ato nuk folën kurrë për të dhe Putini me raste u kufizua duke thënë se vajzat flasin rrjedhshëm gjuhë të ndryshme, ndjekin karrierën e tyre dhe jetojnë në Rusi.
Shkruhej se Maria ishte martuar me një sipërmarrës holandez dhe se Katerina ishte bashkuar me djalin e një miku të ngushtë të Putinit, Nikolai Shamalov. Megjithatë, të dy tani përdorin mbiemra të tjerë.
Gruaja e tij, Lyudmila, është rimartuar me një sipërmarrës që është njëzet vjet më i ri se ajo dhe do të jetonte në një kështjelle në Biarritz të Francës.
Alina Kabaeva – e dashura e supozuar e Putinit – nga një sportiste e thjeshtë, bëri një karrierë të jashtëzakonshme dhe tani është kreu i “Holding”-ut që kontrollon disa nga kanalet kryesore televizive dhe që është në pronësi të oligarkëve dhe miqve të Putinit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje