Ambasada Amerikane në Tiranë rrëzoi pretendimet e Sali Berishës, që tha se pas zgjedhjeve të 6 marsit, Ambasadorja Yuri Kim i kishte dërguar një ‘negociator’ në zyrë.
“Pozicioni i SHBA në lidhje me shpalljet për korrupsion madhor mbetet i qartë dhe i panegociueshëm”, thuhet në një reagim të Ambasadës së SHBA.
Përgjigja amerikane pason deklaratat e Sali Berishës, që gjatë një interviste televizive të martën tha se Yuri Kim i kishte dërguar një ‘negociator’ në zyrë.
“Unë dua t’i njoh qytetarët shqiptarë, dhe demokratët në veçanti se pas zgjedhjeve të 6 marsit guvernatorja Kim dërgoi në zyrën time një person me propozimet e saj. Propozime që konsistonin që unë të hiqja dorë provizorisht nga gara për kryetar të PD-së, të caktoja cilindo njeri që doja unë dhe atë provizorisht dhe më pas mund të kandidoja vetë për kryetar, duke paraqitur garanci të plotë se Basha do të largohej dhe do të pranonte vendimet”, tha Berisha.
Përplasja mes Berishës dhe Ambasadës së SHBA është rindezur pas takimit që Ambasadorja Kim pati me Enkelejd Alibeajn, të cilin e quajti kryetar i komanduar i PD-së. Rithemelimi reagoi në kor pas këtij takimi, duke akuzuar ambasadoren se nuk po njihte vendimet e gjykatave të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje