Edi Rama mblodhi formalisht Asamblenë e Partisë Socialiste për të votuar rendin e ditës dhe kalendarin e punës të Kongresit, që do të mbahet ditën e shtunë.
Mbledhja e Asamblesë u thirr online, megjithëse nuk ka asnjë kufizim në fuqi për grumbullimet. Rama shpjegoi në fjalën e mbajtur se pse ishte zgjedhur ky format.
“E gjykuam më të arsyeshëm, duke patur parasysh se pas pak ditësh do mblidhemi në kongresin e Partisë Socialiste dhe nuk e pamë të udhës që të angazhonim dy herë brenda dy, tre ditësh, të gjithë ju për të bërë lëvizje dhe për të kaluar një pjesë të madhe të kohës këtu në Tiranë”, tha ai.
Rama foli për tema që janë identifikuar si të një rëndësie të dorës së parë për t’u diskutuar në këtë Kongres. Mes këtyre temave nuk flitet drejtpërdrejt për ndryshime në qeveri.
“Tema e politikës së jashtme, Shqipëria, rajoni dhe natyrisht marrëdhëniet tona me Europën, tek tema e energjisë që sot ka një rëndësi edhe më të veçantë se sa në të përditshmen e vet, së bashku me mjedisin dhe lëvizshmërinë, pra me transportet. Tek tema tjetër e shëndetit dhe e mirëqenies shoqërore dhe tek tema e rinisë dhe inovacionit”, shtoi ai.
Kryesocialisti u shpreh se në këtë kongres do të bëjë publike edhe rezultatet e Këshillimit Kombëtar për përgjigjet që u kanë dhënë 560 mijë shqiptarët 12 pyetjeve të para, për të cilat qeveria u kërkoi mendim.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri prezantoi rendin e ditës së Kongresit dhe kalendarin e punës së tij, që u votua pa kundërshtime nga anëtarët e Asamblesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje