Ne rrjet

A po i jepet fund çështjes? Turqia transferon gjyqin për vrasjen e gazetarit Khashoggi në Arabinë Saudite

Një gjykatë turke vendosi të enjten se gjyqi në mungesë i 26 të dyshuarve të akuzuar për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi mund të zhvendoset në Arabinë Saudite, në një formë që mund t’i japë fund çështjes.

Vrasja e Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll në vitin 2018 shkaktoi një protestë globale kundër mbretërisë dhe sundimtarit të saj de fakto, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.

Zyrtarët turq thanë se Khashoggi, një kritik i shquar i bin Salmanit, u vra dhe u copëtua brenda konsullatës në një operacion që ishte miratuar nga “nivelet më të larta” në Riad. Inteligjenca amerikane vlerësoi se vetë Princi i Kurorës e miratoi operacionin, megjithëse ai i ka mohuar akuzat.

Vendimi të enjten vjen një javë pasi një prokuror turk kërkoi që gjyqi gati dy-vjeçar të ndërpritet dhe të transferohet në Arabinë Saudite, sepse urdhër-arrestet për të dyshuarit nuk mund të ekzekutoheshin dhe deklaratat e tyre nuk mund të merreshin.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan aktualisht po kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me Riadin.

Hatice Cengiz, e fejuara e të ndjerit Khashoggi, dhe ekipi i saj ligjor i thanë CNN se do ta apelonin vendimin. Ata argumentuan se çështja ka të ngjarë të dështojë në sistemin e errët të drejtësisë të Arabisë Saudite.

Është e paqartë se çfarë do të ndodhë më pas për 26 të dyshuarit. Arabia Saudite në vitin 2020 dënoi tetë persona me nga shtatë deri në 20 vjet burg për vrasjen e Khashoggit, por Ankaraja tha në atë kohë se vendimi nuk ishte i pritshëm. Gjykata turke që mbikëqyr çështjen kërkoi në nëntor detaje nga autoritetet saudite – të cilat nuk i kishin përmendur të dyshuarit që u dënuan në Riad – kështu që të pandehurit nuk do të dënoheshin dy herë për të njëjtin krim.

Prokurori turk tha se autoritetet saudite u përgjigjën duke kërkuar që çështja t’u transferohej atyre. Riadi është zotuar të vlerësojë akuzat ndaj 26 të pandehurve nëse çështja zhvendoset, tha prokurori.

Vrasja dhe akuzat e mëvonshme tensionuan lidhjet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite, duke përfshirë një bojkot të mallrave turke, gjë që ka ulur eksportet e Ankarasë në mbretëri me 90%.

Erdogan tani po kërkon lidhje më të mira me shtetet që ishin bërë rivalë të ashpër vitet e fundit, duke përfshirë Egjiptin, Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Udhëheqësit izraelitë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vizituar Ankaranë muajt e fundit, por përparimi me Kajron dhe Riadin ka qenë më i ngadalshëm. Erdogan tha muajin e kaluar se shpresonte që së shpejti të ndërmerrte “hapa konkretë” me Arabinë Saudite.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë