Një ditë para mbajtjes së Kongresit të jashtëzakonshëm, Edi Rama ka mbledhur informalisht te Vila 31 në Tiranë ministra të kabinetit qeveritar dhe një pjesë të deputetëve të grupit parlamentar.
Jozyrtarisht thuhet se mbledhja është thirrur për të përcaktuar agjendën e Kuvendit, vendimmarrjen, statutin dhe nisjen e punës për organizimin e ri të partisë sipas parashikimeve të reja të këtij statuti.
Por, nga ky takim informal nuk përjashtohet mundësia që të dalin ndryshime në kabinetin e ri qeveritar, megjithëse vetë Kryeministri pak ditë më parë e përjashtoi këtë si mundësi. Precedenti më i freskët është 2018-ta, kur pak ditë para se të largonte nga qeveria gjashtë ministra dhe zëvendëskryeministren, Senida Meksi, Rama deklaronte gjithashtu në publik se nuk kishte nevojë për ndryshime në qeveri.
Në atë kohë ndryshimet i komunikoi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, organi i dytë kolegjial më i rëndësishëm sa i takon vendimmarrjes brenda partisë, pas Kongresit.
Ndërkohë, vetë Kongresi është konceptuar si një manifestim, edhe me pjesëmarrjen e qytetarëve. Ai nuk do të kushtëzohet gjeografikisht vetëm në Pallatin e Kongreseve, por do të shtrihet edhe në Bulevard, Sheshin Nënë Tereza dhe Sheshin Italia.
Rendi i ditës i përcaktuar në mbledhjen e Asamblesë parashikon hapjen e Kongresit me një fjalim të Ditmir Bushatit dhe punimet janë konceptuar më shumë si shpalosje të ‘autokritikës’, se sa si konfirmim ‘i punëve të mira’ që socialistët pretendojnë se kanë bërë.
Kongresi pritet që të miratojë ndryshimet në statut, ku Rama legjitimon e forcon rolin e drejtuesit politik të qarkut dhe do të zgjedhë për herë të parë me votë kryetarët e degëve të partisë në të gjithë vendin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje