Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi anketimin nga populli për legalizimin e kanabisit, dhe po popullit iu drejtua edhe paraardhësi në këtë detyre Sali Berisha për të kundërshtuar nismën.
“Sot jam këtu në një bisedë me ju, për vendimin absolut të dëmshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, për legalizimin e kanabisit nga Edi Rama.
Ky vendim është vendim për legalizimin e krimit, drogës, vrasjeve, drogimin e të rinjve dhe popullatës, rrënimin e shëndetit fizik dhe mendor, si dhe të identitetit të shqiptarëve, reputacionit të tyre.
Unë, në formimin tim si mjek, por edhe si politikan, kam lexuar gjerësisht për kanabisin.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se vaji i kësaj bime përdoret për lehtësimin e disa rrethanave, ankthit, dhimbjeve dhe rrethanave të tjera.
Në këtë kontekst, si të dhëna nga mjeku, nuk kam ndonjë kundërshtim. Por studimet e gjera të universiteteve më prestigjioze kanë faktuar se kanabisi krijon probleme serioze, strukturore dhe në procese të trurit. Kanë faktuar se shumëfishon shfaqjen e psikozave më të rënda. Kanë faktuar se i jep ndryshime strukturore të evidentuara në trurin e përdoruesve. Kanë faktuar se është i dëmshëm për zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Kanabisi ka në përbërje mbi 50 lëndë kimike’, tha Berisha, duke u fokusuar më pas tek situata në vend.
“Të legalizosh kanabisin në Shqipëri, një vend i etiketuar në mënyrë të përsëritur në mediat botërore si Kolumbia e Europës apo kanabistan, do të thotë të shkelmosh reputacionin e këtij vendi, ta bësh kanabisin simbol të Shqipërisë, e cila vetëm me biodiversitetin e saj, me speciet e bimëve aromatike, ka bimë dhjetëra herë më të kushtueshme se kanabisi, me të cilat mund të ngrihet një industri e fuqishme kozmetike.
Edi Rama, për shkaqe personale, zgjedh kanabisin për ta bërë simbol të shqiptarëve. Qëllimi i tij është një akt shumë i pamenduar. Ju garantoj që dëmton mundet deri në palcë procesin e integrimit në BE.
Edi Rama shfrytëzon një klimë pozitive për hapjen e negociatave për shkak të luftës në Ukrainë. Por ky është një kalkulim shumë i gabuar, sepse për Europën, për fqinjët tanë dhe për Shqipërinë, kanabisi shqiptar është krim dhe vetëm krim. Është trafik kriminal.
Pikërisht në një moment kur po krijohej një klimë pozitive për hapjen e negociatave, mesazhi që dërgon ky drejt fqinjëve dhe partnerëve është se do legalizoj kanabisin, pacaka se vetëm Italia mund të shpenzojë për mbrojtjen e bregut të saj nga trafikantët shqiptarë, qindra, në mos miliarda euro…Unë e kuptoj që licencat do ia jap klientelës, por do masivizohet kaq shumë dhe mos u çuditni një ditë që aty ku shihni plantacionet e vreshtave, mollave, ullinjve, tu vihet zjarri për të mbjellë kanabis. Siç kanë nisur të djegin pyjet. Kanabisi e bën Shqipërinë një vend problematik për rajonin dhe shton investimin e organizatave kriminale dhe terroriste”, tha ai, duke i bere thirrje shqiptarëve që ta kundërshtojnë këtë nismë.
Berisha qartësoi edhe qëndrimin e tij në raport me ambasadoren amerikane, Yuri Kim.
“Garantoj se e kam shumë të qartë dhe kam respekt për ambasadoren kur ajo vepron në përputhje me përfaqësimin e presidentin Biden, sikundër nuk pajtohem me qëllimet e saj kur ajo vepron si guvernatore. Unë do ta kundërshtoj dhe do ta denoncoj. Politikat e SHBA-ve në Tiranë pa asnjë diskutim synojnë mbështetje për këtë vend, nuk mund të pajtohem me qëndrimet e guvernatores, mbështetjen e saj të vazhdueshme për qeverinë e Edi Ramës dhe veprimet e mirëfillta anti-opozitare. Unë besoj dhe njëherë se shqiptarët duhet të jenë partnerë besnikë të SHBA-ve, por sovranë, si qytetarë, njerëz të lirë që vendosin me votën e tyre të lirë”, tha Berisha.
Çështja e tretë e tij në konferencën për shtyp lidhej me “zhdukjen” e Alqi Bllakos mbi 10 orë para së të arrestohej nga policia.
“…Zërat thonë që u arratis nga Qafë Bota në Greqi, nuk e di, s’kam asnjë fakt. Thonë që u kthye me helikopter, por policia qëndroi në anën e Bllakos. Ajo mori përsipër në modelin e mëparshëm të gënjejë opinionin dhe organet e ligjzbatimit dhe të shprehet se Alqi Bllako ishte në Drejtorinë e Policisë. Por “mbrëmë” dhe “mëngjesi” janë të ndryshme. Kush e urdhëroi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Nano të mashtrojë qytetarët shqiptar? Ishte ky një vullnet i tij i sëmurë apo e urdhëroi ministri i familjes Çuçi?”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje