Politike

Meta flet për inceneratorët, Alqi Bllakon dhe legalizimin e kanabisit

Presidenti Ilir Meta thirri një konferencë të paplanifikuar për shtyp, të cilën e nisi duke sqaruar se po dilte para gazetarëve për t’iu përgjigjur akuzave të kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj që tha se po bllokonte emërimin e ambasadorëve të rinj të vendit.

Meta mohoi akuzat. Ai tha se penguesit e emërimit të ambasadorëve të rinj të vendit zbulohen përmes shkresave dhe se shkresat zyrtare janë aty.

Presidenti akuzoi Veliajn se është i përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe se po sulmon Presidentin për të shmangur vëmendjen nga kjo aferë.

“Kur e pyetën Kordokovskin para pak ditësh se si po ecën ky regjimi oligarkik në Rusi, tha, ‘ishte oligarki, por është diktaturë’, oligarkët tani janë instrumente të diktatorit, përdorin emrat, kompanitë, bëhen edhe bedela një pjesë e madhe në fund kur plasin skandalet e mëdha. Kjo është një situatë që nuk mund dhe nuk do të vazhdojë, të jeni i sigurtë për këtë”, deklaroi ai.  

Nga drejtësia nuk kërkoi vetëm vënien pas hekurave të përgjegjësve të inceneratorëve, por edhe rikthimin e parave të vjedhura, sipas tij, të qytetarëve.

“Veç burgosjes së përgjegjësve të aferës së inceneratorëve, është e rëndësishme që mbi 400 milionë euro abuzime të kësaj afere t’ju kthehen qytetarëve shqiptarë. Nuk ka bërë asgjë më shumë mafia në Siçili se sa këtu, por atje ndikimi në qeverinë qendrore ishte i pjesshëm, ndërsa këtu… Nuk janë përfituesit e vërtetë të kësaj afere as Stela, as Zoto, as Mërtiri, ata janë instrumente”, vijoi ai.

Presidenti sqaroi edhe bashkëpunimin që ka pas me Alqi Bllakon, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë. Mes rreshtave, Bllakon e ftoi që të bashkëpunojë me drejtësinë.

“Ai nuk ka qenë bashkëpunëtor i afërt i imi, nuk ka qenë as aktivist i LSI. Ka qenë me PD dhe ka qenë edhe në Bashkinë e Tiranës në kohën e PD. E dyta e vërtetë është që ish ministri e ka marrë prej njohjeve të tij personale për sekretar të përgjithshëm. Nëse ka ardhur këtu, është se duhet të kishte statusin civil dhe këtu ka respektuar vetëm ligjin. Nuk mund të rrinte gjatë në presidencë. Ai është i ri dhe nëse bashkëpunon me drejtësinë dhe në një kohë të caktuar mund të rehabilitojë figurën e tij dhe të gjithë paratë t’i kthehen buxhetit të shtetit”, tha Meta.

Në këtë konferencë, Meta bëri edhe një koment për Kongresin e PS-së.

“(Edi Rama) Mblodhi socialistët për t’u thënë që të gjithë do të shkojnë në burg, përveç meje”, u shpreh ai.

Sa i takon nismës për legalizimin e kanabisit, Meta e quajti atë nismë për të kriminalizuar Shqipërinë dhe shkatërruar bujqësinë e blegtorinë.

“Tani kërkon të ligjërojë kriminalizimin e shtetit dhe organeve ligjëzbatuese. T’i vihet kazma bujqësisë dhe blegtorisë. Kjo është e qartë. Por besoj është shumë e përkohshme. Dëshirë që vetëm shpejton zhvillimet për të kthyer Shqipërinë në një vend normal. Drejtësi njësoj për të gjithë”, u shpreh Presidenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë