Komunitet

Kur gjithçka tjetër të kufizon përtej aftësive të tua të kufizuara

“Luli është i sjellshëm, edhe pse ai është i sëmurë gjithmonë përpiqet që të mos i shqetësojë të tjerët”. Këto ishin fjalët e para që Besa Farka na tha për të birin, i cili ka mbajtur gjatë gjithë jetës mbi supe statusin “tetraplegjik i përhershëm”.
Dita e Lulëzimit nis dhe mbyllet brenda mureve të shtëpisë. 19-vjeçari nuk ka pasur një fëmijëri si gjithë të tjerët, nuk është shkolluar, nuk ka luajtur, nuk ka pasur shokë, i vetmi argëtim për të është televizori. Edhe pse syte duket sikur i plasin nga dëshira për të thënë dicka, ai nuk mund as të flasë, as të lëvizë. Me sytë që shkëlqejnë, ai shikon fqinjët që afrohen në oborr për ta përshëndetur. Më shumë sesa problemet shëndetësore, Besën e shqetëson izolimi nga i cili vuan i biri. Ajo shprehet e bindur se në vendin tonë, ligji për trajtimin e personave më aftësi të kufizuara nuk zbatohet.

Ndërkohë, ekspertët kanë ngritur prej kohësh alarmin se personat me aftësi të kufizuara jetojnë midis një morie kufizimesh dhe pengesash në Shqipëri.
Psikologu Florian Kulla tregon për Gazetën Si se njerëzit më aftësi të kufizuara si fizike ashtu dhe intelektuale mund të shfaqin disa sjellje të pazakonta dhe sfiduese, përballë të cilave shumë nga metodat disiplinuese nuk na “bëjnë punë”. Edhe pse jep vazhdimisht udhëzime si duhet të menaxhohet sjellja e njerëzve me aftësi të kufizuara intelektuale, ai shprehet se shumë prej sugjerimeve të dhëna janë plotësisht të vlefshme për njerëzit me sindromën down, autik dhe të paralizuar. “Duke qenë se të gjithë jemi qenie sociale, ideja e një qenieje që nuk ka asnjë lloj mundësie të lidhet me qeniet e tjera njerëzore, është e frikshme e gati e tmerrshme. Tek e fundit, të gjithë ne krijojmë marrëdhënie e kemi nevojë për të tjerët që të ndihemi të realizuar,” thotë Kulla. “Gjithëpërfshirja e njerëzve me aftësi të kufizuara – kryesisht me fëmijët në shkollat e zakonshme të Shqipërisë – ka hyrë në një fazë të re, falë edhe ligjit të ri për arsimin parauniversitar. Megjithatë, në kushtet e sotme zbatimi i këtij ligji, has sfida komplekse,” shton ai.


Të dhënat tregojnë se në vendin tonë ka 6 mijë e 700 banorë me aftësi të kufizuara, nga të cilët rreth 800 janë fëmijë të mitur dhe pjesa tjetër janë invalidë pune dhe me paaftësi të tjera. Gjendja e tyre shëndetësore dhe sociale sa vjen dhe rëndohet, përveç strehimit dhe ushqimit, mungesa më e madhe e personave me aftësi të kufizuara është punësimi i tyre. Ligji shprehet qartë për punësimin e tyre, por praktikisht nuk zbatohet nga asnjë kompani. Përfaqësuesit e shoqatave thonë se ligji për personat me aftësi të kufizuara është shumë i mirë, por të gjithë shprehen se deri tani nuk zbatohet si duhet. Krahas shumë pengesave të tjera, personat me aftësi të kufizuara vuajnë edhe për arsimimin dhe mjekimet e rimbursuara nga shteti, ndërsa në spitale duket se nuk ka vende për t’i kuruar.

Por a ndodh kjo situatë vetëm në vendin tonë?

Qindra njerëz me aftësi të kufizuara keqtrajtohen nga shoqëria dhe policia çdo vit në mbarë botën. Kjo tendencë është tejet shqetësuese por diskutohet rrallë.
BBC ka sjellë së fundmi historinë e dhimbshme të një 22-vjecari nga SHBA-ja. Ishte ora 5 kur tre oficerë policie të qytetit Milëakee hyn në shtëpinë e Adam Trammell. Ata e gjetën djaloshin të zhveshur dhe të hutuar, duke qëndruar në vaskën e tij. Adami ishte diagnostikuar me skizofreni që në moshën 18 vjeçare. Një fqinj kishte telefonuar policinë pasi e kishte parë lakuriq në korridor duke folur me vete. Ajo mendonte se emri i Adamit ishte Brandon dhe atë emër ju tha oficerëve kur arritën në adresën e tij.

Sipas babait të tij, Larry Trammell, Adami kishte shpesh herë halucinacione dhe gjithmonë bënte dush për t’u qetësuar. Adami nuk ishte i armatosur dhe nuk po sillej në mënyrë kërcënuese, por nuk doli nga dushi kur e urdhëroi policia. Oficerët e goditën 15 herë duke i lënë një mori shenjash në trupin e tij, ndërsa ai bërtiste. Më pas erdhën më shumë oficerë dhe e nxorën me forcë nga vaska, ai ishte i zhveshur por ata e tërhoqën dhe i injektuan një ilaç qetësues të quajtur “ketaminë”. Disa momente më vonë Adami ndaloi së marri frymë.

Ai u dërgua në spital dhe u shpall i vdekur menjëherë pasi arriti atje. E gjithë ngjarja u filmua nga kamerat e sigurisë që ndodheshin afër shtëpisë së Adamit.

Adam Trammell

“Unë nuk duroja dot t’i shikoja pamjet ,” thotë Kathleen, nëna e Adamit. “Ai ishte duke u torturuar brutalisht dhe bërtiste në agoni. Mua më dukej një makth dhe djali im ishte viktima,” shtoi ajo. Kathlen shprehej se nuk e kuptonte se pse policia u soll në atë mënyrë me djalin e saj. “Ai ishte në vendin e tij, nuk ishte në rrugë duke i bërë keq dikujt, nuk kishte as armë, nuk kishte as rroba madje, pse përbënte rrezik për komunitetin? Ai nuk e meritonte aspak atë që i ndodhi, tha ajo duke fshirë lotët nga sytë. Larry mendon se djali i tij mund të ketë besuar se policia ishte një nga halucinacionet e shumta që ai përjetonte. Në momentin që oficerët e gjetën në banjë ju drejtuan me emrin “Brandon” dhe jo Adam sepse ky ishte emri që kishin marrë nga fqinjët. “Duke qenë se ata e kanë thirrur në emër tjetër , ai ka menduar se kjo gjë nuk është e vërtetë,” thotë Larry.
Edhe policia e pranon faktin se Adami nuk kishte kryer ndonjë krim dhe nuk ishte i dyshuar, por pse ndodhi e gjitha kjo? Policët thonë se hynë në apartament për të ndihmuar Adamin, vepruan në atë mënyrë për ta mbajtur nën kontroll deri në momentin që ai do të merrte kujdesin mjekësor.

Dhuna ndaj personave me aftësi të kufizuara

Por Adami nuk është i vetmi. Përqindja e personave me aftësi të kufizuara që vdesin nga policia rritet çdo vit. Sipas raporteve të mbledhura, gjatë këtij viti në SHBA janë vrarë të paktën 136 persona me aftësi të kufizuara nga policia. Një ngjarje e ngjashme ndodhi një vit më parë edhe në Shqipëri, ku policët e Bashkisë Kamëz dhunuan disa persona më aftësi të kufizuara.Ngjarja është regjistruar nëntorin e kaluar, ku dhjetëra persona para dhe tetraplegjikë janë mbledhur përpara Bashkisë së Kamzës, për të kërkuar një takim me kryebashkiakun Xhelal Mziu. Ata mësohet se kërkonin të diskutonin me Mziun në lidhje me pensionet dhe pagesën e plotë të taksave dhe pse duhet të përjashtohen.Por si duket vendimi i kryebashkiakut të Kamzës për të mos i pritur, ka shërbyer si shkak për agravimin e situatës mes qytetarëve dhe policisë përpara Bashkisë.Madje situata në një moment ka degraduar deri në përdorimin e dhunës nga ana e policisë e cila i ka larguar ata me forcë.

Por pse oficerët nuk e quajnë të gabuar të dhunojnë personat me aftësi të kufizuara? Një pjesë e madhe e trajnimit të policisë është e orientuar drejt përdorimit të armëve të zjarrit dhe mbrojtjes personale. Madje sipas ekspertëve, nëse personat me aftësi të kufizuara hasin policë për ata krijohet një situatë e frikshme. “Kush është ky person me armë?,” pyesin veten. “‘Pse u ndezën dritat?’ Pse po më bërtasin ?’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë