Ne rrjet

Traumat që lanë pas rusët pas tërheqjes nga rrethinat e Kievit

Rusët u tërhoqën nga rrethinat e Kievit, por pas kanë lënë plagë e drama njerëzore, që mund të mos shërohen kurrë nga traumat e pësuara. BBC sjell dëshminë e një gruaje ukrainase, që akuzon se ushtarët rusë i vranë bashkëshortin dhe e përdhunuan.

Në një zonë rurale të qetë, rreth 70 kilometra në perëndim të Kievit, biseda zhvillohet me Anën, 50 vjeç. BBC i ka ndryshuar emrin për t’i mbrojtur identitetin.

Ana tregon se në 7 mars, ajo ishte në shtëpi së bashku me bashkëshortin e saj, kur ushtarët e huaj hynë dhunshëm në banesë dhe e morën.

“Më çoi të një shtëpi këtu afër dhe më urdhëroi që të hiqja rrobat, ose do të më qëllonte. Vazhdoi të më kërcënonte se nëse nuk do të bëja siç më kërkonte, do të më vriste. Pastaj nisi të më përdhunojë”, tregon Ana.

Ajo e përshkruan agresorin si të ri, të dobët dhe me gjasë një luftëtar çeçen, që luftuan për Rusinë për disa ditë në rrethinat e Kievit.

“Teksa ishte duke më përdhunuar, hynë katër ushtarë të tjerë. Mendova që kaq e pati jeta ime dhe do të më vrisnin. Por, ata e nxorrën jashtë atë (përdhunuesin) dhe unë s’e pashë më me sy”, rrëfen ajo, duke besuar se jeta iu shpëtua nga një njësi tjetër e ushtrisë ruse.

Ana shkoi në shtëpi, ku pa bashkëshortin të plagosur. Ai ishte qëlluar në abdomen disa herë.

“U përpoq që të vinte pas meje për të më shpëtuar, por u qëllua disa herë”, tregon 50-vjeçarja.

Me bashkëshortin e plagosur u strehua të një shtëpi e fqinjëve. Nuk mund ta transportonte në spital për shkak të luftimeve. Dy ditë më vonë ai vdiq nga plagët e marra.

Ana i tregoi BBC se ku kishte varrosur bashkëshortin me ndihmën e fqinjëve të saj. Varri ishte hapur në oborrin e shtëpisë dhe një kryq i madh i drunjtë qëndronte mbi të. Ana thotë se është në kontakte me autoritetet shëndetësore për të marrë mbështetje psikologjike.

Ushtarët rusë që e shpëtuan qëndruan në shtëpinë e saj për disa ditë. Ajo thotë se gjatë kësaj kohe i kishin drejtuar disa herë armët, duke i kërkuar që t’i jepnin gjithçka që i përkiste bashkëshortit të saj.

“Kur u larguan gjeta ilaçe dhe viagra. Shpesh deheshin me alkool. Pjesa më e madhe e tyre janë vrasës, përdhunues dhe grabitës. Vetëm pak janë OK”, tregon ajo.

Pak metra distancë nga shtëpia e Anës, një tjetër tragjedi është luajtur në ato ditë. Një grua është përdhunuar dhe vrarë dhe sipas dëshmive të fqinjëve, autori ishte i njëjti ushtar që përdhunoi Anën.

Viktima ishte rreth të 40-ave. Ajo u mor me forcë nga shtëpia e saj dhe u mbajt në dhomën e gjumit të një banese, që ishte braktisur para se luftë të mbërrinte në fshatin e tyre. Në pasqyrën e kësaj dhome është shkruar me buzëkuq në pasqyrë një fjali rusisht, që tregonte se ku ishte varrosur gruaja.

Një dëshmitare tha se shkrimi ishte bërë nga ushtarët rusë.

“Më thanë (rusët) që ajo ishte përdhunuar dhe më pas ishte goditur me mjet prerës në fyt, duke i shkaktuar gjakderdhje deri në vdekje. Më thanë që kishte shumë gjak në dhomë”, tregon Oksana.

Gruaja u varros në oborrin e shtëpisë. Një ditë pas mbledhjes së këtyre dëshmive nga ana e BBC, policia ukrainase e zhvarrosi për të hetuar rastin. Trupi u gjet pa rroba dhe me një plagë të thellë prerjeje rreth qafës.

Andrii Nebytov, shefi i policisë për rajonin e Kievit tha për BBC se ishin duke hetuar gjithashtu edhe një rast tjetër në një fshat rreth 50 kilometra në perëndim të Kievit, ku përfshihet një familje me tre anëtarë; bashkëshorti, gruaja e tij dhe një fëmijë i mitur. Familja jetonte në periferi të fshatit.

“Më 9 mars, disa ushtarë rusë hynë në shtëpi. Burri u përpoq që të mbronte fëmijën dhe gruan e tij. Ata e qëlluan për vdekje në oborrin e banesës. Pas kësaj, dy ushtarë përdhunuan gruan për orë me radhë. E kërcënuan se nëse do të rezistonte, do t’i vrisnin djalin. Për të mbrojtur djalin e vogël, gruaja bëri siç i thanë”, thotë Nebytov.

Kur ushtarët rusë u larguan, dogjën shtëpinë dhe vranë qentë e familjes.

Gruaja me djalin u shtëpuan plagëve dhe kontaktoi me policinë. Nebytov thotë se ajo ka dhënë dëshminë e plotë para policisë dhe kjo dëshmi do t’i dorëzohet dosjes që po përgatitet për krime lufte ndaj Rusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë