Gazeta Si – Manovra detare kineze në ngushticën e Tajvanit, “është përgjigja ndaj sinjalit të gabuar nga Shtetet e Bashkuara për çështjen tajvaneze”, tha një zëdhënës i komandës së Forcave të Armatosura të Pekinit.
Është një sinjal politik që e shtyu Kinën të përkulte muskujt e saj, për shkak se në 14 prill, një delegacion prej gjashtë senatorësh amerikanë, mbërriti në Taipei, ku janë takuar me presidentin tajvanez, Tsai Ing-ëen këtë të premte.
“Janë lojëra të rrezikshme dhe ata që luajnë me zjarrin do të digjen veten”, përfundoi zëdhënësi ushtarak kinez, duke përsëritur qëndrimin e qeverisë dhe duke njoftuar se Ushtria Çlirimtare Popullore, koordinoi një operacion demonstrues patrullimi të kryer nga anije, avionë luftarakë dhe bombardues në Ngushticën që ndan Kinën nga Tajvani dhe rreth pjesës lindore të ishullit.
Kjo nuk është asgjë e re për Taipein, i cili është mësuar të shohë njësitë e marinës kineze duke parakaluar para brigjeve të tij (hera e fundit nëntorin e kaluar për vizitën në Taipei të një delegacioni tjetër të Kongresit Amerikan).
Për disa kohë, ishulli është përballur me inkursione të vazhdueshme nga Forcat Ajrore të Pekinit në “zonën e tij të identifikimit ajror”: vitin e kaluar u raportuan rreth 900 ndërhyrje në qiejt rreth Tajvanit.
Taipei gjithashtu po përshpejton përgatitjet për mbrojtjen eventuale. Qeveria po tërheq rezervistët për periudha më të gjata stërvitjeje se në të kaluarën.
Mbrojtja ka nxjerrë një broshurë prej 28 faqesh me udhëzime për popullatën në rast të një sulmi kinez.
Këtë javë, luftëtarët tajvanezë u panë në qiellin mbi Taipei, duke simuluar një reagim ndaj një sulmi. Stërvitja u zhvillua midis orës pesë dhe shtatë të mëngjesit, pa paralajmëruar popullatën, për t’i mësuar ata me kohë të vështira.
Shtetet e Bashkuara e trajtojnë sigurinë e Tajvanit me doktrinën e “paqartësisë strategjike”: ajo njeh zyrtarisht vetëm Republikën Popullore të Kinës, por një ligj i vitit 1979, kërkon që administrata amerikane t’i sigurojë ishullit mjete ushtarake për mbrojtjen e saj.
Asnjë president nuk e ka bërë kurrë të qartë nëse Amerika do të luftonte Kinën për të shpëtuar Tajvanin, por së fundmi, Joe Biden ka thënë vazhdimisht se angazhimi i Tajvanit ndaj demokracisë “është i fortë”.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, tha së fundmi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që një pushtim i Tajvanit nga Kina “nuk mund të ndodhë kurrë”.
Sinjali nuk u pëlqye në Pekin. Siç nuk u pëlqyen fjalët e senatorëve që mbërritën në Taipei.
“Shtetet e Bashkuara janë në anën tuaj dhe nuk do t’ju lënë vetëm, sepse braktisja e Tajvanit do të ishte braktisje e demokracisë dhe lirisë”, – i tha Tsai-t senatori republikan, Lindsey Graham.
Senatori Bob Menendez, i cili është president i Komisionit të Punëve të Jashtme, vuri në dukje se ishulli është gjithashtu një qendër teknologjike me rëndësi globale, sepse prodhon 90% të gjysmëpërçuesve të përdorur në botë; është “një vend” që nuk humbet”, përfundoi demokrati Menendez.
Të quash Tajvanin “një komb” është një provokim, sipas Pekinit, sepse ishulli konsiderohet një provincë që është pjesë e të vetmes Kinë që edhe Shtetet e Bashkuara e njohin zyrtarisht.
Shtypi kinez shkroi mëngjesin e të premtes se Republika Popullore nuk do t’i nënshtrohet presionit amerikan as në frontin e Tajvanit dhe as në marrëdhëniet miqësore me Rusinë.
Në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në konferencën e përditshme të shtypit, përsëriti se “Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e Kinës dhe do të ketë ribashkim. Ajo e ishullit është një çështje e brendshme dhe nuk është aspak e krahasueshme me situatën në Ukrainë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje